Mesfushori vlonjat Hair Zeqiri është i pranishëm në Vlorë për të ndjekur sfidën e Flamurtarit të tij kundër Skënderbeut. Flamurtari ka fituar një kupë me gol të Zeqirit, i cili edhe pse ende shumë i ri, duket se po mendon tërheqjen përfundimtare nga futbolli. Duke folur për emisionin “Gol pas goli”, vlonjati analizon përballjen e kupës dhe flet edhe për karrierën e tij, që nuk u ngjit aty ku pritej.
“Mendoj se kualifikohet skuadra që ka më shumë uri dhe më i uritur më duket Flamurtari, aq më shumë që ka fituar edhe në ndeshjen e vajtjes dhe është më i favorizuar për të shkuar në finale.
“Kualifikimi për në kupat e Europës është më i mundur mes kupës dhe besoj se janë të vetëdijshëm se sot duhet të japin gjithçka për të fituar dhe për të shkuar në finale. Më pas nëse shkojnë aty duhet të bëjnë të pamundurën për t’ia dalë mbanë. Sot gjithë lojtarët duhet të jenë të bindur që në dhomat e zhveshjes se duhet t’ia dalin mbanë, për ta quajtur sezonin të shpëtuar dhe të suksesshëm, duke fituar kupën. Sot e vetmja rrugë është kualifikimi duke dhënë gjithçka nga vetja.
“E ardhmja ime? Nuk e di ende, nuk kam vendosur ç’do të bëj dhe është shumë e vështirë. Pse nuk shkoi karriera më mirë se kaq? Ka disa arsye që nuk më shkuar aq mirë, por ka disa arsye, duke nisur nga marrja e vendimeve të gabuara në momente të caktuara. Më ka munguar uria për të luajtur në nivele të larta dhe për të qenë në majë duhet të jesh gjithnjë në maksimum, edhe në stërvitje, gjë që unë për fat të keq nuk e kam pasur. Shumë njerëz më thonë që është shumë herët për t’u tërhequr nga futbolli dhe mund të jap ende shumë, ndaj më vjen mirë për gjithë këtë mbështetje dhe kjo më bën të jem ende i pavendosur për të ardhmen”.