Verilindorët në shtëpinë e tyre kanë koleksionuar më pak pikë se në transfertë. Titulli këtë sezon “digjet” nga “Zeqir Ymeri”
Jurgen Zela
Nga një titull i fituar pa asnjë humbje, te një gjysmë sezoni shumë larg pritshmërive. Ndryshime të rëndësishme, që kanë kthyer besimin te lojtarët, por gabimet e fazave të para mund të jenë të parikuperueshme, edhe pse te Kukësi besonin se mund ta arrinin titullin kampion. Barazimi me Flamurtarin e çoi Kukësin plot 11 pikë pas Skënderbeut dhe kjo sigurisht nuk u ka lënë shije të mirë drejtuesve që pasi ngushtuan diferencën një javë më parë, bënë hap pas. Futbolli i tillë është, pavarësisht se te Kukësi dihet që nuk do të hiqet dorë dhe do të synohet deri sa matematika t’i lejojë. Në të vërtetë trajneri Peter Pakult nuk preferon që të bëjë komente të zgjatura kur i përmendet titulli kampion, madje mundohet që ta shmangë sa të mundet. Me të drejtë, pasi ai e di mirë se 11 pikë nuk janë pak dhe e ka përmendur disa herë që e rëndësishme është që Kukësi të jetë në pjesën e sipërme të tabelës, për të garantuar një biletë europiane.
STATISTIKAT
“Kështjella kuksiane goditet-lëkundet, por nuk mundet”, ishte shkrimi i nxjerrë nga tifozët kuksian në 5 majin e vitit të shkuar, kur skuadra e tyre mori një barazim shumë të çmuar në fushën e Partizanit. Skuadra kishte një formulë të çuditshmedisi pasi në shtëpi rrallëherë lëshonte pikë, duke koleksionuar pjesën më të madhe fitore, ndërsa jashtë fushe merrte së paku barazimin. Këtë edicion fytyra ka ndryshuar. Në transferta Kukësi është i frikshëm dhe ka marrë më shumë pikë se të gjithë kundërshtarët. Në 9 ndeshje, kuksianët kanë marrë 5 fitore, me Lushnjën, Teutën, Luftëtarin, Teutën dhe Vllazninë, kanë barazuar në tre sfida me Partizanin, Flamurtarin dhe Kamzën e janë mundur vetëm në transfertën korçare. Rezultate të logjikshme, por që në klasifikim vetëm me takimet jashtë fushe Kukësi do të ishte i pari. Ato që shqetësojnë janë “detyrat e shtëpisë”. 4 humbje, 3 fitore dhe 2 barazime në “Zeqir Ymeri”. Kukësi është mundur në fushën e tij nga Partizani, Skënderbeu, Luftëtari dhe Lushnja. Po ashtu kanë marrë pikë dhe Vllaznia e Flamurtari. Vetëm ndaj Kamzës, Laçit dhe Teutës, Kukësi ka marrë maksimumin e pikëve. E çuditshme, por nëse skuadra e Safet Gjicit do të kishte bërë siç duhet “detyrat e shtëpisë” sigurisht do të ishte ndoshta jo në vendin e parë, por në luftë për vendin e parë. Tifozët e Kukësit nuk e shohin skuadrën e tyre të fitojë në shtëpi që në datën 10 tetor të vitit të shkuar, pra gati 3 muaj. Shumë, vërtetë shumë.
TERRENI
Që fusha është e rënduar nuk ka nevojë të përmendet më sepse dihet tashmë, por diçka duhet të ndryshojë. Vetë Pakult kishte të njëjtën mendje me Milinkoviç, kur tha se fusha është si për skuadrën e tij dhe për kundërshtarin njësoj, por është ndryshim i madh, që “kështjella” të kthehet në një autostradë. Kukësi duhet t’i bëjë edhe një herë llogaritë për sezonin e ardhshëm dhe të kthejë atë që Pakult e kërkon, pathyeshmërinë në shtëpi. Nuk duhet të mjaftohen vetëm me projektin ide që përmendet nga presidenti në çdo dalje mediatike, pasi kampionati po shkon drejt fundit e është mirë që projekti të jetë gati për të nisur nga puna që ditën e fundit që mbyllet kampionati.
MUNGESA E MADHE
Stadiumet shqiptare gjithnjë e më shumë po shohin se kanë mungesën e tifozerisë. Edhe në Kukës, edhe pse luan skuadra kampione shihet numri jo i madh i tifozëve. Madje këtë sezon vetëm në një ndeshje kanë qenë prezent tifozeria e organizuar. Fillimisht ishte prezenca e Mlladen Milinkoviçit ajo që nuk u pranua nga ana e mbështetësve kuksianë. Edhe pse Milinkoviçi është larguar, edhe përballë Flamurtarit mungonte banderola. Edhe pse nuk ka një reagim zyrtar, me sa mësohet tifogrupi “Mërgata” ka qejfmbetje për një marrëveshje që nuk është respektuar nga ana e klubit për mbështetjen ndaj tifozëve të organizuar. Një minus për Kukësin, që këtë sezon nuk ka pasur as tifozin e 12-të në shkallët e stadiumit.