Eugent Zeka ishte vjet pjesë e klubit të Vllaznisë në rolin e drejtorit sportiv, por u largua shpejt. Nuk është se u pyet shumë për lëvizjet që u bënë dhe në kushte të tilla nuk mund të kishte bashkëpunim. Tanimë shkodrani është rikthyer në Itali, por një sy edhe nga Vllaznia.
Humbja me Erzenin në Peqin ka bërë që ai të reagojë përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”. Rikthim në memorien e shkodranëve një fitore që Vllaznia B mori vjet kundër shijakasve, madje në një ndeshje që pati shumë tension. Gjithsesi një ekip i përbërë nga të rinj vendas triumfoi. Mesazhi i Zekës është i qartë.
POSTIMI I EUGENT ZEKËS – ERZENI KF – VLLAZNIA B 1:3. Jo shumë larg në kohë, por vetëm një vit e tre muaj më parë, një grup djemsh të mrekullueshëm shkodranë, nën drejtimin e burrërorit Ervis Kraja, arrijnë të e fitojnë me ndershmëri, me meritë dhe me trimëri në mes të dhunës në Shijak.
Kam përjetuar atë ndeshje personalisht, përkrah trajnerit Kraja dhe vëllezërve kuq e blu (siç i quaja unë të gjithë lojtarët e Vllaznisë), prandaj nuk mund të rri në heshtje dhe të mos i përcjell përsëri të gjithë atyre nderimet dhe rrespektet e merituara. Në fushë: Kapiteni Enes Isufi (17 vjeç), Senad Hysenaj (18 vjeç), Belajdi Pusi (19 vjeç), Grisel Tula (19 vjeç), Denis Miloti (20 vjeç) etj.
Të gjithë ato djem shumë të rinj në moshë, mbi një vit pa rroga, pa bazën e mjaftueshme materiale, të përbuzur dhe të persekutuar profesionalisht, por në vend që të dorëzoheshin, bënin të kundërtën, kërkonin dhe gjenin forcën dhe suksesin tek pasioni i tyre për futbollin, tek ndjenjat për ngjyrat dhe emri i klubit, tek krenaria dhe edukata e tyre si shkodrane.
Sot, shumë nga ato nuk janë më në Shkodër apo pranë Vllaznisë, por shembulli i tyre ka mbetur në memorien e të gjithëve dhe duhet ndjekur edhe sot, nga të gjithë ato që kanë fatin e jetës të mbartin fanellën e Vllaznisë. Janë lojtarët dhe trajnerë si ato, mbi të cilët duhet të bazohet dhe rindërtohet Vllaznia.
Ne kemi fatin e Zotit t’i kemi dhe t’i gjejmë ato në çdo akademi, lagje apo krahinë të rrethit tonë, por vazhdojmë t’i përbuzim dhe t’i japim rrugët jashtë Shkodrës, jashtë shtëpisë dhe zemrës së tyre. Në vend që t’i shijojmë ne djemtë tonë, po na i shfrytëzojnë të tjerët ato
Përshëndetjet e mija të përzemërta dhe përqafime vëllazërore për të gjithë ato djem të mrekullueshëm. Vëllezër i kam gjithmonë.