Ze Maria: S’jemi Barcelona, gabimet e Tiranës mbaruan

Braziliani snobon Bylisin, duke thënë se i është dhënë më shumë rëndësi kësaj skuadre, ndërsa kërkon nga ekipi i tij të jetë një gjarpër vdekjeprurës në fushën e lojës

Olsi Avdiaj

Trajneri i Tiranës, Hoze Ferreira ka dalë më në fund para mediave, duke u betuar se Tirana nuk do të humbasë asnjë ndeshje deri në fund të sezonit. Sipas brazilianit, shkaqet e barazimeve të fundit janë kapërcyer. Ze Maria foli për grupin e tij dhe mënyrën sesi po menaxhohet kjo situatë e sikletshme për klubin bardheblu. Në një intervistë të gjatë, para ndeshjes me Shënkollin, Ze Maria zbuloi objektivat për sfidën e sotme si dhe të ardhmen e klubit në Superiore. Sigurisht e nisi me një batutë për motin: “Më kanë mashtruar. Tani nuk na lë rehat as shiu. Më kishin thënë se në Tiranë bënte ngrohtë, por në kryeqytet, madje pashë edhe borë, por mbahem”.

-Mister, përse Tirana nuk ka fituar dot në dy ndeshjet e fundit në Kategorinë e Parë?

Ama, nuk i kemi humbur. Kemi barazuar në dy takime. Kundër Bylisit ishte diçka e jashtëzakonshme. E kemi komentuar gjatë atë takim. Na ndëshkuan me një penallti inekzistente, të cilën e pamë edhe në fushë, por në fund e konfirmuam. Me Apoloninë, nuk luajtëm mirë dhe nuk e meritonim të fitonim. Kështu është futbolli, por nëse ne jemi të mëdhenjtë e kampionatit dhe nuk mbyllim ndeshjen, një skuadër e vogël, që vetëm mbrohet mund të të bëjë gjëmën.

-E kishit menduar që disavantazhi nga shtatë pikë, apo katër të shkojë vetëm në dy pikë?

Nuk kemi qenë shtatë pikë minus, por katër. Kemi qenë në vështirësi këto ndeshjet e fundit, ndonëse llogari, asnjëherë nuk kemi bërë. Unë e kam thënë gjithmonë, se ne, këtë kalim në Superiore, duhet ta luajmë deri në fund. Nuk kam menduar as që kampionati kishte përfunduar. E dimë që duhet luftojmë kundër të gjitha skuadrave. Të gjithë ekipet e vogla vijnë për të luajtur kundër Tiranës, sikur të ishte ndeshje për “jetë a vdekje”. Nuk e di se çfarë ndodh. Kundër Tiranës, japin shpirtin në fushë, me ekipet e tjera humbasin sekondën e fundit. Ky është futbolli. Të mundësh Tiranën është arritja më e madhe në këtë kategori e jo vetëm. E pamë festën e Kukësit kur na mundën. Jemi skuadra e madhe, e të gjithë duan të na mundin. Jemi plus dy, por nuk na intereson shumë, sepse do të luajmë në tetë ndeshjet e tjera për të fituar, as për të barazuar apo për të bërë llogaritje.

-Përballë, Tirana ka një skuadër e cila mund të konsiderohet e vogël…

Kemi folur gjatë, këto ditë, sidomos pas barazimeve që kemi marrë. Kemi diskutuar për sjelljen tonë në fushën e lojës. Një skuadre, si tonës, nuk i lejohen pushime të gjata. Kemi bërë shumë gjatë këtyre dy barazimeve. Do të përballemi me një tjetër skuadër të vogël, por dihen problemet, që kemi me ekipe të tilla. Nuk mund të ndalemi. Duhet të vazhdojmë me ritmin tonë sa më të lartë, madje, duke shtuar shpejtësinë, për të përballur fazën e tretë me besimin se jemi të pakapshëm, ashtu siç bëmë në 15 ndeshjet e para të sezonit.

-Të bëri përshtypje diçka te lojtarët, apo bënë autokritikë, për atë që kanë treguar në fushën e lojës?  

Kur flasim së bashku me djemtë, jemi të gjithë të sinqertë, të drejtpërdrejtë në të gjithë krahët. Edhe pse janë të vegjël, nuk janë fëmijë. Ata duhet të kuptojnë ku kanë gabuar. Atë që kanë bërë mirë, e keq. Kjo vlen edhe për stafin. Kemi folur dhe nuk mund të kemi kaq shumë vështirësi për të fituar brenda dhe jashtë fushe. Sjellja jonë duhet të jetë uniforme, si kur luajmë me ekipe të Superiores dhe Kategorisë së Parë. Mentaliteti dhe dëshira duhet të jenë të njëjta. Këtë gjë, ata e kanë kuptuar dhe pranuar. Jemi në rrugën e duhur. Nuk ishim Barcelona, por as skuadra më dobët e botës. Jemi Tirana, që luan në të njëjtin nivel dhe duhet të fitojmë ndaj të gjithëve. Objektivi ynë nuk ka ndryshuar. E kundërta. Kemi shumë dëshirë për të marrë atë që na takon.
-Mister, kur nuk shënoni dy gola, nuk fitoni. Mos ndoshta keni probleme sulm?

Jo nuk e mendoj kështu. Golat e fundit i kanë shënuar sulmuesit. Flas për takimin me Bylisin ku shënoi Junusi. Duhet të jemi më “të këqij” para portës. Duhet të jemi si gjarpri që të sulmon e kafshon, e ti ende nuk e ke kuptuar. Këta duhet të jemi, si sulmuesit e mesfushorët. Ne kemi kualitet, si në mesfushë dhe sulm, madje edhe anësorët tanë janë të frikshëm. Kur kemi mundësinë për të mbyllur ndeshjen, nuk e bëjmë, edhe pse shkojmë shumë lehtë te portieri mik. Shkurt, u japim një mundësi kundërshtarëve. Ky është një faj që e pranojmë, siç e bëmë me Bylisin, që mund të shënonim 2-3 gola. Këtë duhet të kuptojnë djemtë. Nëse jemi të qetë mund shënojmë shtatë gola. Ky është mentaliteti, që unë nuk ua kam transmetuar dhe ky është faji im, por do t’ia dalim.    

-Ngo?

Kemi folur me Majkëllin, por jo vetëm. Janë gjërat që kanë ndodhur gjatë javës. Ai është një lojtar si gjithë të tjerët dhe e ka kuptuar e kërkoi falje për raegimin e tij, kur u zëvendësua. Këtu nuk ka fëmijë, apo të preferuar të trajnerit. Janë të gjithë njëlloj, lojtarë që duhet të zbatojnë rregullat. Edhe unë, përfshirë. Ai ka gabuar, kërkoi falje dhe asgjë më shumë. Nuk mund ta bëjmë dramë dhe nuk do të qëndrojmë në atë episod. Do të paguajë për atë që bëri dhe do të vazhdojmë. Kemi nevojë për Majkëllin, ashtu si edhe për të tjerët. Gjesti i tij kur kërkoi falje ishte pozitiv dhe thjesht nuk duhet të përsëritet.

-Prisni që Apolonia të luajë si kundër Tiranës…

Ne do të bëjmë punën tonë, sido që të shkojë ndeshja e Bylisit. Ne, duke e respektuar këtë atë skuadër, nuk duhet të shohim Bylisin. Ne shohim punën tonë. Jemi skuadra më e madhe e këtij vendi dhe ecim përpara. Janë ata që duhet të na mundim. Ne jemi përpara në renditje. Ata duhet të fitojnë dhe ne duhet të humbasim. Por kjo nuk ka për të ndodhur. Me gjithë respektin që kemi për skuadrat e tjera, ekipi im nuk do të humbasë nga tani deri në fund të kampionatit. Ne shkojmë për të fituar kudo, e do të japim 110 përqind, ndonëse në futboll nuk dihet asnjëherë. Shkurt, ne i kemi dhënë rëndësi dikujt që nuk e meriton. Faleminderit.    

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *