Tekniku bardheblu ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së javës së parë, me Ilirinë. Në startin e një sezoni që nuk ishte përjetuar më parë te skuadra më e trofeshme në vend, tekniku brazilian flet për pritshmëritë e sezonit të ri, kundërshtarët dhe në veçanti për ndeshjen e parë.
OBJEKTIVI – “Kategoria e Parë është një kampionat që do të na çojë në Kategorinë Superiore, ky është objektivi ynë, ndaj e nisim me 100 në orë, pasi ky është ritmi ynë, dhe kjo rruga që duhet të bëjmë.
KUNDËRSHTARËT – “Të gjitha skuadrat do të duan të mundin Tiranën, si në të parën dhe në Superiore. Nuk duhet t’u japim mundësi dhe të relaksohemi, duhet të jemi të bindur te vlerat tona dhe të mos u japim hapësira , pasi çdo skuadër do të bëjë gjithçka kundër kësaj Tirane, pasi është skuadra më e madhe e këtij kampionati. Nuk do të jetë e lehtë sidomos kur luajmë jashtë, pasi ndaj Besës e pamë që struktura nuk është optimale, bari i lartë dukej si fushat në Brazil 30-40 vjet më parë dhe na ngadalësoi. Duhet ta bëjmë fatin tonë sidomos këtu ku nuk duhet të marrim asnjëherë më pak se 3 pikë, duke pasur respekt për kundërshtarët por pa harruar që jemi Tirana”.
MOTIVIMI – ”Motivimi më i madh është kur ti vesh fanellën e Tiranës, pavarësisht nga Kategoria ku luan apo kundërshtari që përballesh, ti mbron këto ngjyra dhe ky është motivimi më i madh, luan në Kategorinë Superiore apo atë inferiore”.
NDESHJA E PARË – ”Nëse luajmë mirë dhe fitojmë tre pikët do ishte perfekte. ne për këtë përgatitemi, për të ndryshuar pak futbollin nëse më lejoni ta them duke lënë mënjanë modestinë. Për ta ndryshuar pak me atë çfarë kemi parë, të luajmë gjithmonë me shumë zotërim pasi është e vetmja mënyrë për të krijuar hapësira dhe nëse ja dalim do të ishte shumë bukur”.