“Selman Stermasi” ishte thuajse bosh deri 20 minuta përpara fillimit, për t’u mbushur më pas, si në stadiumet angleze, ndërsa këngëtarja Eneda Tarifa e kap me policinë: “O daku, hape kordonin se mbaroi ndeshja!”
Reportazh nga Anton Cicani
Një pasdite e bukur, nëse nuk do të ishte për thatësirën në fushë, pra asnjë gol. Në “Selman Stermasi”, në kushte atmosferike fantastike, tifozët kanë qenë të shumtë dhe, jo si gjithmonë, kanë ndryshuar trend… Janë prezantuar 20 minuta përpara fillimit dhe pa krijuar radhë në hyrjen kryesore. “Monday night”, pra “E hëna në mbrëmje”, i ka dhënë mundësi që të mbyllin punët dhe më pas të marrin shallin dhe të shkojnë në stadium. Në fillim thirrje për Partizanin, për të ngrohur situatën, më pas menjëherë kanë nisur vërshëllimat ndaj vonesave të lojës së lojtarëve të Kukësit, shtrirjes në tokë, por edhe bilbilave të arbitrit Xhaja.
Elisi poligon – Nëse Edmond Tupja do të ishte në “Selman Stermasi” të hënën në mbrëmje, ndoshta do të duartrokiste më shumë se kurdoherë, pasi fjalori i tij me banalitete të ndryshme nuk do të ishte asgjë përfshirë me tonelatat e sharjeve drejtuar Elis Bakajt. Mund të ketë qenë fakti që këpucët e tij ishin me ngjyra (edhe të një tjetri, por ai binte në sy), ndoshta edhe look-u me flokët e ngritura, apo numri pas shpine, por ish futbollisti i Partizanit, ai që u rrit në Akademinë e kuqe, u kthye në një shënjestër, ose poligon qitje. Madje, edhe fëmijët e vegjël kishin mësuar të shanin, madje edhe shumë, Bakajn. Disa herë madje, lojtari e humbi toruan dhe në fund u largua i nervozuar.
Gjici i ngrirë – Si rralëherë, Safet Gjici, presidenti i Kukësit, këtë herë ka qëndruar “i ngrirë” në vend. Kreu i klubit kampion, pasi ka përfunduar pjesa e parë, nuk është çuar nga poltrona e tij për të konsumuar diçka brenda në ambjentet e stadiumit ose poshte te lokali, por ka qëndruar aty në vend… Nuk dihet motivi se pse Gjici nuk ka lëvizur, por fakti është që deri në fund ai ka qenë i mpirë.
Tifozi special – Në tribunë, përveç shumë personazheve VIP, ish futbollistëve, trajnerëve, apo edhe figurave publike dhe politike të vendit, ka qenë edhe një spektator nderi, që vetëm tri ditë më parë ishte në atë stadium, por jo në tribunë, por në stol… Po flasim për Ze Marian, trajnerin e Tiranës, që ka ndjekur sfidën e shokut të tij Ze Maria.
Tarifa… – Në fund të ndeshjes, ndoshta incidenti më kurioz. Teksa tifozët i drejtoheshin daljes, policia kishte formuar kordonin për të mos i lënë që të kalonin në anën perëndimore të stadiumit “Selman Stermasi”, pra nga Libri Universitar e tej, teksa një makinë afrohet pranë kordonit. Në timon, këngëtarja Eneda Tarifa, e cila nuk kupton se çfarë po ndodh dhe pse nuk duhet të kalojë, teksa sheh tifozët që presin të hapet kordoni… “O daku, ka mbaruar ndeshja, hape kordonin të kalojmë… Lëri tifozët të kalojnë”, thërret këngëtarja nga dritarja e makinës së saj, teksa policia qesh, por nuk e hap. Pas 15 minutash, policia liron rrugën dhe kështu të gjithë kalojnë, përfshirë edhe makina e këngëtares.