Leonard Trebicka
Një moment mjaft delikat po kalon Skënderbeu, pasi nuk dihet se cili do të jetë grupi i sezonit të ri. Ka lojtarë që kanë pranuar të qëndrojnë, disa të tjerë janë në dilemë dhe një pjesë janë larguar, ose po mendojnë largimin nga korçarët. Sigurisht, asgjë akoma nuk është zyrtare, por Sport Ekspres mëson të rejat e fundit në kampin bardhekuq. Dje disa titullarë janë parë në resortin Tropikal në Durrës, ku kanë biseduar me presidentin Ardjan Takaj. Tefik Osmani dhe Gledi Mici janë dy prej atyre që janë parë në Durrës. Nuk është e thjeshtë për të vendosur, sepse oferta e presidentit Takaj është që deri në dhjetor lojtarët të qëndrojnë me një kontratë më të ulët dhe nëse fitohet çështja në CAS, do të ketë bonuse. Për këtë arsye, lojtarët po mendohen. Përgjigje përfundimtare nuk ka ende, por pak a shumë është zbuluar lista e atyre e Skënderbeut të ri.
QËNDROJNË
Ajo që u intereson më shumë korçarëve ka të bëjë me faktin se cilët lojtarë do të qëndrojnë. Një pjesë lojtarësh janë me kontratë afatgjatë me Skënderbeun dhe nuk mund të lëvizin pa miratimin e presidentit Takaj. Gripshi, Abazi, Demte, apo edhe Sahiti, do të jenë pjesë e Skënderbeut sezonin e ri, për këtë nuk ka asnjë mëdyshje. Edhe Xhejms ka edhe gjashtë muaj kontratë me Skënderbeun dhe 90% edhe ai do të qëndrojë. Në listën e atyre që qëndrojnë janë 13 lojtarë, jo pak për të filluar punën nga Skënderbeu, tashmë jo pretendent për titull.
NË DYSHIM
Janë disa titullarë, të cilët kanë qenë të rëndësishëm sezonet e fundit deh që tani janë në dilemë, nëse do të pranojnë të qëndrojnë apo jo. Janë të paktën 5 lojtarë të pavendosur dhe fjala është për emra si Osmani, Radas, Mici, Vila dhe Muzaka. Nëse do ti bindë presidenti Takaj dhe këta lojtarë qëndrojnë, sigurisht që do të rrezikojnë, por nëse Skënderbeu fiton në CAS, këta do të jenë të parët që do të fitojnë bonuse të larta. Këta janë lojtarët që po mendohen dhe që i duhen patjetër Skënderbeut.
LARGOHEN
Për të ardhur te lista e të larguarve, që e zbulon Sport Ekspres. Janë disa emra, por kjo listë mund të shtohet, nëse presidenti Takaj nuk arrin ti bindë të tjerët. Ka largime, por edhe shitje. Lilaj ishte i pari që i dha lamtumirën Skënderbeut, ndërkohë që Kristi Vangjeli është shumë pranë lamtumirës, pasi është kthyer në Selanik, ku kërkon ta mbyllë karrierën pranë familjes së tij. Edhe Dejvi Bregu pret të mësojë ekipin e ri ndoshta në Belgjikë, kështu që nuk do të vijë te Skënderbeu. Do të shitet edhe Enis Gavazaj, ndërsa Ali Soue nuk kthehet më, pasi e ka mbyllur përfundimisht aventurën në Shqipëri. Edhe për Orges Shehin mund të thuhet se është i larguar, pasi e ka mbyllur karrierën. Kjo listë do të ketë ndryshime, nuk diskutohet, por Takaj ende nuk e ka thënë fjalën e fundit.
Lojtarët që qëndrojnë
Fidan Aliti
Kaba Sambou
Leonit Abazi
Beniam Demte
Nazmi Gripshi
Uerdi Mara
Suad Sahiti
Marjo Dajsinani
Aldo Teqja
Xhejms Adeni
Blerim Krasniqi
Bruno Dita
Jorgo Pëllumbi
Lojtarët në dyshim
Tefik Osmani
Marko Radas
Gledi Mici
Gjergji Muzaka
Emiljano Vila
Larguar dhe shitur
Sabjen Lilaj
Ali Soue
Enis Gavazaj
Dejvi Bregu
Bakari Nimaga
Kristi Vangjeli
Orges Shehi