Zbulohet data për rinisjen e Superiores, e konfirmon Shefi i Sektorit të Garave te FSHF

Futbolli në Shqipëri është ende në pritje të dritës jeshile për të zënë sërish vend në fushën e lojës. Situata e krijuar në Shqipëri prej Koronavirusit është mbajtur nën kontroll gjatë kësaj kohe, gjë që të jep optimizëm se aktivitetet sportive do të rikthehen së shpejti. Në një komunikim në televizionin “A2“, Shefi i Garave në FSHF, Lysien Nurishmi, ka folur më tepër rreth mundësisë se kur mund të shohim sërish Superioren në fushën e lojës.

Nurishmi është shprehur se janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore dhe duke parë gjendjen e tanishme presin lejen që në fillim të muajit maj të rinisin stërvitjet, për të mbërritur te kampionati në fund të po atij muaji, ku si datë jep atë 20 ose 24 maj. Në këtë rast do të mbyllej me sukses sezoni Brenda afatit 20 korrik të përcaktuar nga UEFA. Kjo do i jepte mundësinë klubeve shqiptare që në muajin gusht të zhvillonin fazën kualifikuese për Kupat e Europës. Ndërkohë Nurishmi bën me dije se ekipet shqiptare kanë shprehur gatishmërinë për të filluar sa më parë, ndërsa shpjegon se presin prej institucioneve shëndetësore edhe protokollin e masave që duhen zbatuar gjatë zhvillimit të ndeshjeve në këtë situatë të vështirë.

“Ne kemi pasur komunikim dhe këto ditë do të kemi komunikime zyrtare për t’i kërkuar qeverisë direktiva ose një dritë jeshile se kur mund të fillojnë stërvitjet, për të filluar procesi deri në rifillimet e kampionateve. Shpresojmë që kjo datë të jetë sa më afër, duke parë edhe situatën shëndetësore, të rifillojmë kampionatet sa më shpejt të jetë e mundur, duke i dhënë mundësi edhe ekipeve të mbyllin kampionatin në kohë. Si një afat kohor është data 20 korrik, më e pëlqyeshmja nga UEFA, pasi në muajin gusht parashikohet të luhen ndeshjet kualifikuese për Kupat Europiane. Në këtë mënyrë u japim më tepër kohë skuadrave tona që marrin pjesë në kompeticione europiane të jenë të gatshme për të zhvilluar fazën paraeliminatore.

Në rast se ne do të kemi një dritë jeshile nga institucionet shëndetësore se stërvitja mund të fillojë javën e parë të majit, ne do i japim kohë klubeve 2 javë ose pak më tepër, për t’i dhënë “ok“ kampionatit në 20 ose 24 maj. Do ishte ideale ta fillonim kampionatin në javën e fundit të majit dhe ta përfundonim në datën 20 korrik, duke qenë brenda direktivave të UEFA-s, për të dërguar te ta edhe emrat e fituesëve të kampionatit dhe të Kupës së Shqipërisë.

Skenari i Belgjikës apo Holandës? Në Shqipëri situata nuk është aq alarmante sa për të mos e filluar kampionatin. Ne jemi në kontakt të vazhdueshë mme klubet dhe ato pyesin dita-ditës se kur do të fillojë procesi stërvitor dhe janë të gatshëm që në çdo moment për të rifilluar kampionatin. Ne presim dhe jemi në kontakt me institucionet shëndetësore për të pasur manualin e zhvillimit të ndeshjeve me këto masat e reja, largësia nga njëri-tjetri apo masat paraprake para fillimit të ndeshjeve. Pra është një protokoll i veçantë për të zhvilluar ndeshjet në këtë situatë të vështirë“, ka thënë Nurishmi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *