Vetëm pak ditë më parë, trajneri i Kombëtares së Femrave te Shqipëria, Armir Grima, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Shkodrës. Ai u arrestua në shtator të 2018 nën akuzën e trukimit të ndeshjes.
Për të gjithë ata që e njohin këtë person më nga afër, padyshim që janë habitur nga e gjitha kjo. Asnjë provë e fortë mjaftoi për të sjellë kaosin e madh që u bazua tek një bisedë e bërë nga Grima me Safet Bajrin, një person që në Shkodër nuk ka shumë vlerësime të bukura.
Por vetëm kaq ishte e gjithë historia, ndërsa trajneri shqiptar dhe që ka një karrierë të pasur dhe me kontribut në futbollin shqiptar, u arrestua për një… imagjinatë e thënë saktësisht. Në qendër të polemikave ishte ndeshja mes Vllaznia B-Tërbuni e mbyllur 2-1 dhe e luajtur në 5 maj të 2018. Por Grima ishte larguar nga Vllaznia B që nga data 6 prill i 2016 dhe nuk kishte lidhje të forta me këtë rast, veçse biseda me Safet Bajrin ishte bërë pak orë para ndeshjes.
“Bold news” ka zbuluar edhe arsyet e thjeshta se përse vendimi i Gjykatës së Shkodrës ishte për të shpallur të pafajshëm Grimën. Fillimisht në bisedën e tij nuk kishte asnjë element që të provonte trukimin. Pra nuk përmendej takimi Vllaznia B-Tërbuni, ndonjë sasi lekësh apo rezultat. Një tjetër arsye e verdiktit ishte se ndeshja në fjalë nuk kishte rëndësi të lartë dhe nuk mund të luhej në kompaninë e basteve. Duke parë të gjithën këtë, erdhi edhe drejtësia, por e vonuar. Por sigurisht që dëmin e bërë mbi figurën e Armir Grimës, nuk mund ta paguajë vetëm ky vendim i drejtë. /Sport Ekspres/