Zarate te Boka, një histori tradhtie ndaj Velezit dhe familjes

E mbani mend sulmuesin argjentinas Mauro Zarate? E kemi njohur së pari te Lacio, ku luajti në periudhën 2008-2012. Sulmues shumë i talentuar, për të cilin Lacio pagoi 23.5 milionë euro dhe e bëri lojtar kyç për tre sezone. Megjithatë, Zarate ishte një “kokë e nxehtë” dhe u fut në konflikt me klubin roman, aq sa bënë xhiron e botës pamjet e Igli Tares duke iu hakërryer argjentinasit rebel në stol, gjatë një ndeshjeje ku Zarate nuk po zbatonte asnjë nga urdhrat e trajnerit. Më pas Zarate u largua dhe në vitin 2013 u kthye në shtëpi, duke firmosur për Velezin.

Historia me Velezin i ka rrënjët të thella: Zarate është rritur te Velezi, në vitin 2007 u largua tek Al Sadi në Katar për 15 milionë euro, por sapo u kthye rimori statusin e heroit, duke shënuar 18 gola në 28 ndeshje.

Më pas transferim sërish në Europë: Uest Hem, QPR, Fiorentina, Uotford, huazim tek Al Nasr dhe prej janarit të këtij viti sërish në shtëpi, ku tjetër përveç Velezit (në huazim nga Uotfordi).

Në 30 qershor kontrata e Zaratesë me Uotfordin përfundoi dhe me 8 gola në 13 ndeshje Zarate ishte kthyer sërish heroi i zakonshëm i Velezit. Deklarata dashurie, besnikëri e përjetshme, foto me fanellën e Velezit, Zarate ishte një histori dashurie e pavdekshme.

E megjithatë, ditët e fundit ndodhi ajo që nuk e priste askush në Argjentinë: Zarate firmosi për Boka Zhuniors! Për rivalin e urryer të Velezit!

Tronditje e jashtëzakonshme, tension, djegje fanellash të sulmuesit, akuza të forta për tradhti, tashmë çështja Zarate është kthyer në temë dite, aq sa ka errësuar edhe debatin e kombëtares argjentinase, që dështoi në Botëror.

Është edhe një dramë familjare, sepse Zarate është një famije e lidhur ngushtë me Velezin, në çdo drejtim. Vëllai i Mauros, Rolando Zarate, i cili ka luajtur për Velezin dhe tashmë është agjent futbollistësh, ka lëshuar një deklaratë shumë të fortë kundër vëllait dhe njëkohësisht agjentit të vet.

“Ai më ka ngulur një thikë pas shpine. Jam i shkatërruar. Ai tradhtoi gjithë familjen dhe 40 vite histori që kemi me Velezin. Më vjen të qaj. Jemi rritur te Velezi, babai ynë ka punuar këtu për 40 vite”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *