Luftëtari është zhvendosur prej pak ditësh në Slloveni, ku po kryen fazën përgatitore. Gjirokastritët do të luajnë në Europa League me ekipin letonez të Ventspilsit dhe kanë shpresa të mëdha për të avancuar më tej.
Për këtë arsye, bluzinjtë kanë lëvizur jashtëzakonisht edhe në merkato, ku mbi të gjitha kanë rikthyer “yllin” e skuadrës Devi Bregun vetëm për ndeshjet në arenën ndërkombëtare.
“Sport Ekspres” mëson se Luftëtari ka nënshkruar dhe me një tjetër lojtar, edhe pse prezantimi ende nuk ka ardhur zyrtarisht. Bëhet fjalë për Maldin Ymerajn, i cili prej pak ditësh është bashkuar me skuadrën.
Ymeraj është aktivizuar te Kukësi në gjysmën e dytë të edicionit, por pak javë më parë kërkoi largimin, për të kërkuar një tjetër aventurë.
E ka pritur krahëhapur skuadra e qytetit të tij të lindjes.
Mësohet se mesfushori është zyrtarisht pjesë e skuadrës dhe shumë shpejt do të bëhet dhe prezantimi nga ana e klubit. Ymeraj shihet si një element premtues që mund të shpërthejë këtë edicion.