Pas portierit Demi e sulmuesit Xhixhiua, shijakasit bëjnë të vetin edhe Dorian Ballën
Glen Domi
Nevil Dede e ka nisur më së miri aventurën e tij tek Erzeni po ashtu dhe sulmuesi kamerunas, Xhixhiua, të cilin klubi nuk ka ngurruar por ka arritur ta bëjë të vetin edhe duke e nënshkruar një kontratë. Mustafa Enok Xhixhiua shënoi sërish ndaj Tiranës B një dopietë. Erzeni ka zyrtarizuar edhe Elson Demin. Portieri ju bashkua Erzenit në stërvitje, por ende nuk kishte dokumentacionin e duhur nga Besëlidhja. Tashmë që Demi dhe lezhjanët u ndanë zyrtarisht, shijakasit arritën të firmosin duke fituar shërbimet e tij. Tek Erzeni ka ende shumë lojtarë në provë. Klubi i Erzenit ka surprizuar në merkato sërish me një tjetër lojtarë.
Bëhet fjalë për mbrojtësin 21-vjeçar Dorian Balla. I riu vjen pas një eksperience në Gjermani me “Kosova Hamburg” ku luan ish-“gardiani” i Erzenit, Sulejman Hoxha. Lojtari ka një CV të pasur ku dhe pse në moshë të re ka luajtur në disa ekipe. Karrierën e tij e ka nisur në Itali me “Cagliese Calcio” që në moshë të vogël. Vismara Calcio ka qenë ekipi i dytë në Itali për mbrojtësin për ti lënë më pas vendin Gjermanisë. Fillimisht me Ne?munster për dy sezone. Ndërsa sezoni i ri 2017/18 e gjeti atë në ekipin shqiptar “Kosova Hamburg”. Tashmë lojtari është kthyer në atdhe për të luajtur dhe Erzeni ka hapur dyert duke i ofruar një mundësi mbrojtësit 21-vjeçar.
Dorian Balla në një prononcim për “Sport Ekspres” u shpreh: “S’di të flas shumë për Erzenin. Është një ekip i ri për mua, një eksperiencë e re. Është hera parë për mua që luaj në Shqipëri dhe është një ambient ndryshe nga jashtë. Megjithatë, jam ndier mirë në Shijak. Më pëlqeu atmosfera dhe ambienti duket i mirë. Shpresoj që të ndihmoj sa më shumë ekipin dhe ne të arrijmë objektivat tona. Ndihem i lumtur dhe i emocionuar njëkohësisht që do luaj në Shqipëri. Eksperiencë e re që shpresoj të jetë sa më e bukur”, – ka përfunduar 21-vjeçari Balla.