Sulmuesi afrikan, Xhejms Adeniji, mbetet një nga titullarët më të rëndësishëm të Skënderbeu. Ashtu si në fundin e vitit të kaluar, edhe në ndeshjen me Teutën, ai ka gjetur rrugën e rrjetës dhe i ka dhënë kualifikimin skuadrës së tij për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, edhe pse janë edhe 90 minuta të tjera për tu luajtur. Në ndeshjen e djeshme Xhejms është treguar shumë i zgjuar në të dy rastet e golave dhe ka goditur në momentet, kur mbrojtja durrsake shfaqi probleme. Pas ndeshjes, autori i 2 golave të fitores së Skënderbeu, u shpreh: “Sigurisht që jam lumtur për dy golat. Jam i gëzuar, kur shoh që Skënderbeu fiton. Nëse do të ndodhte e kundërta, nuk do të isha në humor.
” Pozicioni si sulmues krahu? Ndjehem shumë mirë. Jam detyruar të luaj në dy pozicione, por jam shumë mirë këtu. Në këtë ndeshje transferte kemi marrë një rezultat shumë të mirë, por është edhe ndeshja e kthimit për tu luajtur.
“Kemi marrë një rezultat me shumë vlera. Por për ne është më e rëndësishme të fitojmë titullin kampion. Jemi në vend të parë dhe kemi 6 pikë diferencë nga vendi i dytë. Tani po punojmë shumë për të pasur rezultate sa më të mira në javët na vazhdim. Nuk jemi të sigurt me këtë diferencë pikësh që kemi me rivalët tanë.