Xhejms Adeniji në Azerbajxhan, biznes i shkëlqyer për Skënderbeun

 

Sulmuesi ribashkohet me mesfushorin Lilaj, i cili pak ditë më parë kaloi tek e njëjta skuadër. Klubi korçar fut në arkën e tij 350 mijë euro

Leonard Trebicka

Një tjetër largim i rëndësishëm nga Skënderbeu, por këtë herë nuk është një lajm i hidhur, edhe pse një titullar me vlera do t’i mungojë skuadrës korçare. Sulmuesi Xhejms Adeniji është shitur në Azerbajxhan dhe dje është zyrtarizuar te skuadra e tij e re, te Gabala, ku vetëm pak ditë më parë nënshkroi edhe mesfushori Sabien Lilaj. Të dy do të debutojnë me skuadrën e re në korrik, kur Gabala të luajë në Europa League kundër klubit nga Luksemburgu, FC Progres Niderkorn. Klubi azer e ka prezantuar dje futbollistin nigerian, me të cilin ka firmosur një kontratë trevjeçare.

PËRFITIMET – Skënderbeu, sipas asaj që ka thënë drejtori i përgjithshëm i klubit, Gerhard Takaj, ka përfituar 350 mijë euro, një shifër jo e vogël kjo, që në këtë moment të vështirë mund ti bëjë shumë punë ekipit. Xhejms kishte kontratë me Skënderbeun deri në fund të këtij viti dhe drejtuesit e tij ishin duke shqyrtuar të gjitha ofertat për ta shitur sa më shpejt sulmuesin 25 vjeçar.

Xhejms largohet kështu pas 6 vitesh në futbollin shqiptar, ku fillimisht erdhi për llogari të Bylisit, më pas kaloi te Tomori për pak kohë, sërish te ballshiotët, te Laçi dhe për tre sezonet e fundit te Skënderbeu. Sezonin e fundit ka qenë ndër lojtarët më të rëndësishëm të Skënderbeut, me golat e shënuar dhe me lojën e tij. Me Skënderbeun Xhejms ka luajtur 107 ndeshje dhe ka shënuar 33 gola në të gjitha kompeticionet. Ka fituar dy tituj dhe Kupën e Shqipërisë sezonin e fundit.

KARTONI Por klubi korçar nuk e ka shitur plotësisht kartonin e sulmuesit nigerian. Drejtori Takaj ka bërë të ditur se është mbajtur 20% e vlerës së kartonit të këtij lojtari: Po, kemi mbajtur 20% të vlerës së kartoni të Xhejmsit, që do të thotë se në çdo rast shitjeje të këtij lojtari nga klubi azer, do të përfitojë edhe Skënderbeu, – tha shkurt Gerhard Takaj, i cili bëri të ditur edhe vlerën e shitjes së nigerianit.
Xhejms luajti sezonin e fundit si sulmues i krahut të majtë te korçarët dhe duket se çdo lojtar që aktivizohet në këtë pozicion, sezonin e ardhshëm shitet. Ka ndodhur kështu me Bernard Berishën pak sezone më parë, ndodhi me Liridon Latifin vjet, ndodh edhe tani me Xhejms Adenijin. Korçarët humbasin një lojtar me shumë vlera në aspektin sportiv dhe duhet të gjejnë sa më parë zëvendësuesin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *