Partizani e nis me fitore sezonin e ri të “Abissnet Superiore“-s. Të kuqtë përmbysën sot në “Elbasan Arena” Egnatian. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-1 për kryeqytetasit dhe u vendos nga një gol i mrekullueshëm i Skukës në minutë ne 97. Festa ishte e gjitha për Partizanin, që grumbullon tre pikët e para në “Abissnet Superiore“. Pas përfundimit të ndeshjes, Xhovani Kolela ka folur për mikrofonin e “RTSH”-së, ku ka përgëzuar kundërshtarët për lojën e zhvilluar.
“Egnatia bëri një ndeshje të mirë dhe luajti më mirë se ne dhe e meritoi sipas meje të ishte në avantazh në pjesën e parë. Pastaj në të dytën kemi ndryshuar diçka në aspektin taktik dhe na shkoi më mirë, por ka shumë për të punuar. Sot Egnatia nuk e meritonte të humbiste. Futbolli është kështu, me raste meriton të fitosh dhe të humbasësh, apo e anasjellta. Është e vërtetë që janë ndeshje të rëndësishme për të fituar, e kemi fituar me zemër dhe me kurajë. Ka shumë për të punuar, marrim tre pikët dhe komplimente Egnatias për gjithçka që ka bërë.
Unë kam bërë 9 stërvitje me këtë ekip dhe janë shumë pak. Jemi ende një kantier i hapur dhe kemi shumë gjëra për të bërë. Sot marrim gjërat e mira që është dëshira për të fituar, zemra që vumë në fushë dhe e marrim këtë me vete nga kjo ndeshje. Shumë lojtarë vuajtën se nuk ishin në maksimum, megjithëse në pjesën e parë nuk luajtën keq. Në pjesën e dytë u përmirësuan. Unë jam trajneri dhe duhet të përmirësohemi vazhdimisht”, ka deklaruar Xhovani Kolela./Halit Delibashi-Sport Ekspres/