Administratori mbërrin sot në Shkodër dhe brenda javës do të vendoset për të ardhmen e portierit dhe mesfushorit. Gjendet miqësorja e parë
Gaspër Marku
Ndërkohë që skuadra kuqeblu vazhdon të stërvitet në kampingun malazez të Beranes, drejtuesit e klubit janë në pritje të zgjidhjes së dy çështjeve. E para, dhe më e rëndësishmja lidhet me portierin Erind Selimaj, i cili për momentin është i vetmi futbollist që nuk ka rinovuar. I dyti ka të bëjë me Erjon Vucajn, një futbollist ky mjaft cilësor, që edhe pse po flitet shumë për veshjen e tij kuqeblu, deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Burimet më të fundit në kampin shkodran bëjnë të ditur për “Sport Ekspres” se për të dyja këto çështje do të ketë një përgjigje konkrete brenda kësaj jave. Nga të njëjtat burimet thuhet se mbetja pezull e çështjeve në fjalë ka të bëjë me mospraninë e administratorit të klubit kuqeblu Astrit Gjyrezi në qytetin e Shkodrës. Të enjten ai pritet të jetë në qytetin verior dhe puna për të do të nisë menjëherë nga dy çështjet që janë pezull. Për të parën, atë të portierit Erind Selimaj, burime të afërta pranë vete portierit sqarojnë se konfirmimi i tij si pjesë e Vllaznisë edhe për sezonin në vazhdim duket punë e kryer. Madje, nga bisedat paraprake, ato e konsiderojnë në masën 99% punë të mbyllur firmën e Selimajt, duke ia plotësuar kërkesat që ai ka pasur, qoftë në aspektin financiar, por më tepër në atë të të qënurit portier titullar te Vllaznia. Megjithatë, atë 1 përqindëshin nuk e lënë pa e përmendur, që do të thotë se nëse pikat nuk do të realizohen plotësisht ashtu siç i ka kërkuar portieri Selimaj, çdo gjë prishet në moment. Ndërkohë, për Erjon Vucaj situata thuhet se është disi më e komplikuar, çka do të thotë se Gjyrezi nuk do ta ketë shumë të lehtë për ta mbyllur këtë kontratë pa u konsultuar mirë me stafin teknik dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Një pengese jo e vogël në këtë mes pritet të jetë dendësia e futbollistëve në repartin e mesfushës ku luan Vucaj, por njëherazi edhe kërkesat financiare të larta që mund të ketë futbollisti. Sidoqoftë, që të dy problemet pritet të marrin rrugë që nga sot dhe deri në fundjavë, ku edhe do të bëhet e ditur zyrtarisht situata në fjalë.