Martesa mes Maksi Lopezit dhe Uanda Narës zgjati vetëm pesë vite. Çifti ka tre fëmijë, por u nda në vitin 2013, me Uandën që e tradhtoi atë me Mauro Ikardin. Fëmijët qëndrojnë me mamanë e tyre, e cila bën maksimumin që ata të kalojnë sa më pak kohë me babanë e tyre!
Lopez sot luan me Vasko da Gamën në kampionatin brazilian. Sulmuesi është rikthyer të flasë për vështirësitë e hasura, pabesinë e Uandës dhe dikur mikut të tij, Mauro Ikardit.
34-vjeçarit i interesojnë vetëm djemtë e tij dhe në një prononcim për gazetarin argjentinas, Fernando Niembro, flet dhe për çështjen e krijuar mes Ikardit dhe klubit të Interit.
VUAJTJET – “Uanda më kërkoi të bëhej agjentja ime, por unë nuk pranova. Unë besoj se ka shumë femra të afta për këtë rol, por duhet ndarë puna me familjen. Nuk doja t’i përzieja këto dy gjëra. Duke parë lajmë të caktuara, mendoj se midis shumë zgjedhjeve të gabuara që kam bërë, ky ishte një vendim i drejtë. Unë nuk i shoh fëmijët e mi dhe është gjithmonë e njëjta histori. Kam ndryshuar shumë klube në Itali me qëllimin për të tentuar të jem afër tyre, por gjithmonë kam hasur vështirësi. Shumë herë nuk kam mundur të flas në telefon me ta për faj të Uandës. Kur fëmijët qëndronin me mua, ajo i telefononte 150 herë në ditë, ndërsa unë nuk mund t’i shihja ata, edhe kur ishim vetëm 150 km larg. Bëja xhiro në qytet, por Uanda arrinte të gjente gjithmonë një justifikim. Të njëjtin problem kam dhe me Ikardin. Një ditë i thashë që do të më kuptonte kur të bëhej vetë baba, por situata u bë më e keqe dhe vendosa të shkëpus çdo kontakt me të. Mauro është bërë sot baba, por mban të njëjtin qëndrim. Ditën tjetër ishte ditëlindja e një prej djemve të mi dhe kur e mora në telefon, ai e mbylli atë.”
SITUATA – “Nëse Ikardi do të jetë lojtari që do të udhëheqë sulmin e Argjentinës nuk më intereson fare, mjafton që kombëtarja të fitojë. Jam argjentinas dhe dua që vendi im të fitojë dhe të rikthejë prestigjin e humbur. Unë besoj se Uanda po përdor një ton të gabuar me drejtuesit italianë, të cilët janë më të fortë dhe më të përgatitur se ne argjentinasit. Gjuha e futbollit është specifike dhe nuk arrin ta mësosh për pak ditë. Mendoj se drejtuesit e Interit janë lodhur me situatën e krijuar. Mos të harrojmë që rendimenti i Ikardit nuk është më i njëjti. Shumë herë agjentët bëjnë diferencën, sepse arrijnë ta lexojnë saktë situatën. Ata e dinë se kur duhet folur dhe kur, jo. Një lojtar i nivelit të caktuar duhet të ketë në krah një person me nivel.”