Nga Klaudio Ndreca
Greqia vazhdon që të marrë lojtarë shqiptarë në gjirin e saj, megjithëse asnjë prej tyre nuk ka arritur që të lërë gjurmë me helenët. Së fundmi ishte Vrushaj që pas një sezoni fantastik në Holandë mori ftesën e ekipit të parë, duke debutuar me të dhe duke braktisur përfundimisht Shqipërinë.
Megjithatë do të vinte menjëherë zbritja në performancën e tij me skuadrën Willem II në elitën e Holandës. Kjo ka bërë që këtë herë trajneri i Greqisë, John van ‘t Schip, të mos e grumbullojë për dy ndeshjet e shtatorit, ku do të luhet edhe kundër Kosovës. Por një tjetër lojtar shqiptar do të debutojë dhe me shumë gjasa, pikërisht ndaj dardanëve. Bëhet fjalë për Lazarus Rota, mbrojtësin e djathtë me origjinë shqiptare, i cili ka lindur në Katerini dhe tani do të vrapojë në fushë me fanellën e Greqisë.
Pyetja që të gjithë shtruan është se çfarë ka bërë ky lojtar për të marrë ftesën e Kombëtares A? E vetmja zgjidhje në këtë rast mund të jepet nëse bëjmë një lidhje mes ekipit të Fortuna Sittard ku luan aktualisht dhe faktit se trajneri i Greqisë është holandez, por sërish nuk mjafton.
Gjithë të dhënat e tjera nuk mund ta dërgonin kurrsesi Lazaros Rotën deri në një ftesë nga një Kombëtare A, e cilado vendi, ndërsa më herët ka qenë pjesë e Michalovce dhe Slavoj Trebisov, ekipe sllovene. Trajneri i Greqisë u shpreh për këtë rast se Kombëtarja duhet të lejojë futbollistët që vijnë nga jashtë vendi dhe pa publicitet, që të marrin qendrën e vëmendjes. Por sigurisht që Lazaros Rota e di saktësisht se ka një mallkim për të thyer me Greqinë, pasi askush prej lojtarëve shqiptarë nuk ka pasur një karrierë në ngritje pas zgjedhjes së bërë me Kombëtaren. /Sport Ekspres/