Redi Jupi ka vlerësuar panoramën që ka ofruar ndeshja mes Vllaznisë dhe Tiranës. I kënaqur nga mënyra e lojës së këtyre ekipeve, figura e njohur në futbollin shqiptar është kthyer pak pas në kohë kur përballja e sipër përmendur zhvillohej në “Play-Out”. I ftuar në “Procesi Sportiv”, Jupi ka komentuar edhe një gabim të kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila u shpreh se stadiumi do të ishte plot për ndeshjen kundër Tiranës me 12.000 tifozë nëse do të lejoheshin.
“Vllaznia-Tirana më ka kënaqur si ndeshje. Këto dy skuadra me shumë histori kanë bërë më në fund një ndeshje të denjë për emrin dhe statusin që kanë. Mos harroni që përpara disa vitesh këto skuadra kanë bërë një ndeshje për “Play-Out”.
Ra Tirana dhe vitin tjetër do të binte Vllaznia. Sesa e rastësishme dhe të paqëndrueshme janë klubet këtu nga keq menaxhimi i tyre, unë shpresoj se këto dy ekipe janë futur në rrugën e duhur. Skuadra si meteor që dalin një vit për kampion, që bëjnë dy-tre sezone të mira dhe pastaj zhduken në thellësinë e kategorive të ulëta janë në qytete me 20.000 banorë që nuk kanë traditë në futboll. I gjithë problemi vjen nga keq menaxhimi i klubeve ku bënë pjesë edhe Voltana Ademi që nuk di sesa vende ka stadiumi në Shkodër, se ka 17.000 vënde”, ka thënë Redi Jupi. /Sport Ekspres/