Biznesmeni i njohur do të jetë nesër në Berat, për të nisur takimet me tifozët dhe më pas me bashkinë. Në krah të tij përflitet Agim Zeqo
“Bomba” e vitit të ri për Tomorin quhet privatizim i klubit dhe emri i madh që të gjithë presin dhe shpresojnë është Pëllumb Salillari, presidenti i kompanisë së njohur të ndërtimit, themeluar që në vitin 1994 në Berat. Ka ditë që flitet për një afrim të tij me klubin, por ishte më shumë një dëshirë e tifozëve të lodhur nga zvarritjet e klubit dhe dështimet e përvitshme, sesa një interesim real. Megjithatë, tashmë duket se situata ka ndryshuar, sepse nga Berati vjen lajmi se biznesmeni i njohur është gati të blejë pjesën më të madhe të aksioneve të klubit. Bëhet fjalë për 76% të aksioneve që ka nxjerrë në aksion bashkia Berat.
TAKIMET – Të enjten Salillari pritet të shkojë në Berat për të zhvilluar disa takime, edhe me tifozë të Tomorit. Në krah të tij flitet se do të jetë bosi i Red Bullit, Agim Zeqo, ai që ishte i pari i Skënderbeut kur nisi ringritja e klubit në fillim të kësaj dekade. Në Berat tani ëndërrojnë që të përsëritet e njëjta histori, edhe pse askush nuk dëshiron trofetë e Skënderbeut, në Berat kënaqen me shumë më pak, sepse kanë vuajtur shumë dhe kanë pritur gjatë të kenë një ekip dinjitoz për të luftuar për të shkuar e qëndruar në Superiore. Ndërkaq, të premten Salillari pritet të takohet me kryebashkiakun Petrit Sinaj, duke pasur me vete edhe juristët e tij, pasi do të flitet edhe për termat juridike të marrëveshjes. Natyrisht, nuk është kryer ende asgjë, por duket se gjërat po lëvizin me shpejtësi dhe nëse Salillari e dëshiron vërtet klubin, bashkia nuk do të hapë probleme.