Vllaznia U-19, sot drejt Moldavisë, të martën përballë FC Zimbru

 

Futbollistët e Akademisë së Futbollit Vllaznia U-19 janë gati për përballjen europiane. Krahas elementeve fizike dhe teknike në fushën e lojës, trajneri i kësaj skuadre Luan Zmijani ka punuar jo pak edhe drejtim të skemave të lojës duke i bërë të qartë futbollistëve të tij se si do ta përballojnë kundërshtarin në këtë ndeshje të parë europiane. Sipas shortit të hedhur nga UEFA, Vllaznia U-19 do ta luajë takimin e parë me datë 26 shtator në orën 18.00 përballë ekipit moldav, FC Zimbru. Për drejtorin teknik të Akademisë Vllaznia, Alban Hasani, personi që është marrë shumë në anën organizative të pjesëmarrjes së kuqebluve në këtë kompeticion europian, i pari i këtij lloji në vendin tonë, bën të ditur se forma sportive aktualë e skuadrës kuqeblu është e shkëlqyer. “Them kështu, sepse kemi 7 jave fazë përgatitore dhe shumë ndeshje miqësore që e kanë forcuar skuadrën për nga forma sportive”, shprehet Hasani, duke mos ngurruar të përcjellë edhe një shqetësim, i cili ka të bëjë me mungesën e futbollistit Enes Isufi, pasi lojtari në fjalë është i thirrur me kombëtaren U-19 që është edhe një pikë e fortë e ekipit kuqeblu. Krahas mungesës së Isufit, Hasani ngre si shqetësim edhe udhëtimin e drejt Moldavisë më autobus që përbën një problem tek fëmijët duke ditur se janë 1400 km udhëtim. Megjithatë, ai shpreson të mos të ndikojë tek futbollistët e tyre, gjë që ia kanë bërë me dije më herët duke i thënë se duhet ta dinë që futbolli është sakrifice e për këtë ato duhen të mësohen edhe me vështirësi. Në vijim, drejtori Hasani komenton edhe akuzat më të fundit të adresuara ndaj akademisë kuqeblu. “Akuzat janë të pabaza e qesharake, dhe është turp të flasim për trajnerët në Shkodër, sepse janë trajnerët më të apasionuar në Shqipëri dhe me rrogat më të vogla. Duhet t’i lëmë emocionet si prind mënjanë e të flasim me qetësi se është në dëm të fëmijëve. Ne si klub kemi bërë deklaratë për shtyp dhe mbështesim çdo trajner të akademisë sepse janë heronj”, thekson Hasani për këtë çështje. Ndërkohë, duke iu rikthyer aktivitetit, drejtori teknik Alban Hasani, thotë se pjesëmarrja e Vllaznisë U-19 në këtë kompeticion të Ligës së Kampioneve të Europës për të rinj, është një shans i madh për elementin e ri me perspektive që ato kanë me shumicë në skuadër, ku me këtë rast menaxherët e shumtë që e ndjekin nga afër këtë aktivitet mund të pikasin ndonjë prej tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *