Federata Shqiptare e Futbollit do të hedhë shortin për fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë 2022/2023 ditën e enjte, ku do të zbardhet kalendari i ndeshjeve për pjesën finale të këtij edicioni.
Shorti, që do të zhvillohet nesër në ambientet e stadiumit “Air Albania” në sallën e konferencave për shtyp dhe do të nisë në ora 11:00, do të jetë i hapur për mediat, ndërsa do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e katër klubeve të kualifikuar deri në këtë fazë e më konkretisht Tirana, Teuta, Vllaznia dhe Egnatia.
Nga shorti do të përcaktohen dy çiftet, ndërkohë që është parashikuar që ndeshjet e kësaj faze të luhen më datat 26 prill dhe 11 maj, ndërkohë që finalja e madhe do të luhet më datën 1 qershor 2023.
Vllaznia vjen në këtë fazë pasi ka fituar në dy edicionet e fundit trofeun e Kupës së Shqipërisë, ndërsa në total numëron 8 kupa të fituara. Gjysmëfinalistja tjetër Tirana mban edhe rekordin, duke u shpallur 16 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, kurse Teuta e ka fituar 4 herë kupën. Egnatia është e vetmja nga katër gjysmëfinalistet që nuk e ka fituar asnjëherë më parë këtë trofe.