“Vllaznia si Luftëtari jonë“, Rroca shpalos dëshirat: Të më vijë ftesa e Kombëtares sa më shpejt, dua Superligën turke

Eduart Rroca ka qenë një protagonist absolut në radhët e Istanbulsporit këtë sezon. Mesfushori ka dhënë një kontribut të madh për ekipin me anë të goalve dhe asisteve të tij përgjatë javëve, duke pasur një meritë të madhe për suksesin që klubi po kalon në Ligën e Dytë turke. Ish-futbollisti i Kukësit ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin “Sport Time” në “Supersport”, ku ka folur më tepër rreth formës së tij, dëshirave që mban për të ardhmen, apo edhe për marrëdhënien me dy shqiptarët e tjerë të Istanbulsporit, Abazajn dhe Et’hemin.

Ecuria pozitive

“Është e vërtetë, jam ambientuar mjaft mirë dhe po e shfaq këtë edhe në fushën e lojës. Kemi një skuadër të mirë, me pretendime dhe me lojtarë cilësorë, ndaj jemi përkushtuar të bëjmë maksimumin për të ngjitur Istanbulsporin në elitën e futbollit turk”.

Treshja shqiptare te Istanbulspori
“Me Abazajn kam luajtur për shumë kohë dhe njihemi mirë si në jetë, ashtu edhe në fushë. Edhe me Et’hemin kam luajtur një sezon te Kukësi dhe kemi marrëdhënie mjaft të mira. Të tre jemi ambientuar mirë dhe kalojmë shumë mirë këtu. Është shumë i rëndësishëm fakti që tre shqiptarë jemi bashkë dhe po ndihmojmë ekipin. Abazaj është më i çmenduri i grupit, ndërsa Valoni është më i qeti“.

Ftesë nga Kombëtarja

“Unë jam i përqendruar të punoj mirë në stërvitje dhe të bëj sa më mirë në fushën e lojës. Më pas përderisa bëj mirë dhe jam në formë, pse mos të vijë edhe ftesa. Shpresoj që paraqitjet e mia të kenë rënë në sytë e njerëzve kompetentë dhe të vijë një ftesë sa më shpejt, pasi Kombëtarja është ëndërr për çdo futbollist“.

Superiorja

“Mundohem të ndjek sa më shumë ndeshje, por edhe shumë kohë nuk kemi për t’i parë të gjitha. Më ka surprizuar shumë Vllaznia, pasi po bën futboll shumë të bukur, njësoj si ne te Luftëtari. Janë shumë tërheqës kur i sheh në fushë, por kam frikën e një rënieje në javët në vijim. Si rivalë të shkodranëve shoh Partizanin dhe Teutën“.

Synimi për të ardhmen
“Dua të luaj në ekipet e Superligës së Turqisë. Do të ishte kënaqësi për mua dhe për karrierën time do të ishte një hap i madh të luaja në elitën turke. Objektivi ka qenë minimumi arritja e Play off-it, por po zhvillojmë një futboll të bukur. Para se të vija këtu, kam pyetur Cikalleshin, e më ka thënë mos e mendo shumë sepse të përshtatet shumë. Këtu i shohin shumë ndeshjet e Istanbulusporit”, është shprehur Eduart Rroca./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *