“Vllaznia? Ne jemi Tirona”, Grent Halili flet për klasiken dhe paragjykimet: Pa dashur që t’iu ofendoj…

Klasikja e futbollit shqiptar do të vijë në ditën e nesërme teksa Vllaznia do të përballet kundër Tiranës. Një ndeshje që pritet me interes të madh në kampionatin shqiptar teksa shkodranët kanë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, ndërsa nga kampi tjetër janë të detyruar për të fituar pasi vetëm kështu mund të shihet nga kreu.

I pranishëm në konferencën për shtyp te Tirana ka qenë Grent Halili. Ky i fundit ka folur sa i përket përballjes ndaj Vllaznisë, por njëkohësisht edhe për paragjykimet e marra si djali i presidentit. “Ndeshja me Vllazninë? Jo më kot konsiderohet si klasike e futbollit. Vllaznia meriton respekt për atë që ka bërë deri më sot, si të gjitha rivalët e tjerë. Por ne jemi Tirona dhe futemi në fushë për fitore. Do të luftojmë për të marrë pikët dhe ta mbyllim këtë vit të vështirë sa më mbarë.

Problemi i Tiranës tani? Personalisht mendoj se është një ngërç, e them këtë pasi jam në dhomat e zhveshjes dhe kur bisedojmë me shokët e shohim thjesht si një ngërç momental që do të kalojë. Goli është një ndjesi e mirë dhe të jep shumë besim. Më vjen keq që ndaj Teutës nuk na dha tre pikët goli im, shpresoj se ndaj Vllaznisë do të shënojë dhe do t’i jap pikët ekipit. Rëndësi ka që të fitojmë sfidën dhe t’i japim dhuratën tifozëve për fundvit.

Paragjykimi? Pa dashur t’iu ofendoj, por jam i lodhur me këto pyetje. Njerëzit gabojnë dhe nuk ka asgjë të keqe. E kam thënë më parë se veprimet e mia gjykohen ndryshe nga një tjetër lojtar i skuadrës. Jam mësuar dhe ndihem mirë kur jam në presion”, u shpreh Halili. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *