Vllaznia me silenciator, ndoshta gjeti “shtegun”

Nga Anton Cicani

Pritshmëria e madhe shpesh kthehet në zhgënjim. E dinë mjaft mirë në Shkodër, aty ku përtypin futboll nga mëngjesi në mbrëmje dhe, ndoshta në raste të veçanta, edhe në gjumë, duke ëndërruar rikthimin e madh të një qyteti i cili veç biçikletave, dëshiron të pedalojë edhe me këmbë dhe top… Natyrisht, Vllaznia ka fituar në Fier ndaj Lushnjes në një ndeshje jo të lehtë dhe momentalisht është 3 pikë. Një dallëndyshe nuk sjell pranverën, por nuk do të sjellë dimrin as një rrufe…

Fundja, jemi pranë vjeshtës, mund edhe të ketë të tilla, sidomos në Veri të vendit, aty ku janë mëse normale. Trajneri Cungu kërkon të qëndrohet me këmbë në tokë, ndërsa e di mjaft mirë se fillimi i mbarë është injeksion besimi. Tashmë, frika e vetme quhet ngritja në piedestal dhe, për një mënyrë ose tjetër, më në fund entuziazmi ende nuk është shfaqur në nota “muzikore” të larta.

Pra, me “silenciator”, por me shtegun e duhur për të ndjekur. Lojtarë me dëshirë, të “uritur” për sukses dhe sidomos të vetëdijshëm se nuk mund të rrezikohet më sezoni i shkuar, kur në javën e fundit vetëm 90 minuta ndanin “parajsën” nga “ferri”. Dhe, të quash “parajsë” mbijetesën, në Shkodër, duket sakrilegj…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *