Vllaznia luan një finale ndaj Lushnjes, Lika: I meritojmë kritikat

Tetë ndeshje pa fitore, bilanc mjaft negativ për Vllazninë, që nuk po gjen fitoren as me trajnerin Ernest Gjoka, i cili në Shkodër ka drejtuar vetëm një ndeshje dhe nesër kundër Lushnjes shpreson të nisë kthesën e madhe.

Kapiteni Gilman Lika ka folur sot për mediat, duke prezantuar sfidën e nesërme dhe duke folur për ndeshjet e shkuara: “Në të gjitha ndeshjet skuadra krijon 3-4 raste të pastra për gol dhe nuk i kemi shfrytëzuar, ndërsa kundërshtarët vijnë gjysmë herë dhe na shënojnë. Ky është një ngërç psikologjik, sepse skuadra nuk është për atë renditje. Kemi nevojë për një apo dy fitore, për të dalë nga kjo gjendje, as për lojë të mire, por vetëm për pikë. Është një moment që skuadra dhe fanella e Vllaznisë ka nevojë për tifozët. Jemi në një moment të vështirë, i meritojmë kritikat, por ka ardhur koha që të bëhen të gjithë bashkë e të mbështesin ekipin.

“Ekipin tim nuk e shoh për mbijetesë, pavarësisht renditjes momentale. Është vetëm një ngërç që duhet ta kalojmë dhe keni për ta parë që shumë shpejt situata do të ndryshojë. Kemi një shans shumë të mirë, duke pasur 3 ndeshje në shtëpinë tonë, ndaj na lind detyra të marrim maksimumin e pikëve dhe nëse e arrijmë, do ta kthejmë komplet faqen.

“Trajnerit Dedja i jam mirënjohës, sepse ai ka qenë i pari që më besoi dhe më aktivizoi në formacion te Vllaznia. Respekt maksimal për atë, por, ai është shkodran vetë, e kupton situatën tonë dhe aty në fushë, secili prej nesh do të bëjë maksimumin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *