Ajdini: Rrogozhina e kthen në festë me Tërbunin

0

Fitorja në Burrel e ka çuar në “kupë të qiellit” atmosferën entuziaste te futbollistët stafi dhe tifozët rrogozhinas. Në finishin e fazës së parë Egnatia sërish premton fitore

Fatmir Efica

Nuk është specialist futbolli, por në pozicionin e drejtorit të kulturës dhe sporteve në Bashkinë e qytetit të Rrogozhinës, Endrin Ajdini dallohet ndër të tjera dhe për ndihmën e kontributin e madh që jep për futbollin. Falë marrëdhënieve shumë bashkëpunuese me drejtuesit e stafit të Egnatias, sikurse në sezonin e kaluar në Kategorinë e Dytë zhvilloi një kampionat fantastik për nga rezultatet e triumfi në fund si kampione, edhe gjatë fazës së parë të këtij sezoni, duket se atmosfera është mjaft pozitive. Posaçërisht për “Sport Ekpres” z. Ajdini u shpreh dje se: “Këtë fundjavë, ndeshja ndaj Tërbunit të Pukës në Rrogozhinë do të jetë e gjitha festive në shumë aspekte. Së pari për masat tekniko – organizative që kënaq të bëjnë më mbarëvajtjen e ndeshjes. Së dyti me atë ridimensionim të frymës së korrektesës që vihet re tashmë edhe te tifozeria e Egnatias e cila pas atij dënimi me një javë pas ndeshjes së humbur 1-2 ndaj Besëlidhjes, paraqet një frymë ndryshe në lidhje me kulturën e qytetarinë”.  

FESTA – “Dua të them, se festa sportive për Egnatian ka nisur që në Burrel të shtunën e kaluar. Atje ekipi rrogozhinas që po kalon momente shumë të mira gjatë ndeshjeve të fundit, sidomos atyre të luajtura në transferta ku ka marrë tre fitore, Egnatia falë lojës së mirë ka arritur të fitojë duartrokitjet edhe të tifozerisë matjane. U larguam nga Burreli të lumtur jo thjesht se fituam një ndeshje dhe siguruam tre pikë të merituara, por sepse morëm me vetë po dhe lamë pas një imazh pozitiv të vlerave sportive aq të rëndësishme që përcjell futbolli. Si midis skuadrave ashtu dhe tifozerive. Kam asistuar në këtë ndeshje, tregon z. Ajdini dhe e çmoj veprimin e tifozëve të Burrelit. Respektin e tyre për garën, për verdiktin real që solli rezultati në fushën e lojës. Ja përse edhe në kushtet tona, këtë përvojë duam ta shpalosim me më shumë pozitivitet nga të gjitha këndvështrimet që na imponon detyra, por mbi të gjitha ta bëjmë klimën sportive sa më të këndshme duke e shijuar një ndeshje tamam si festë”.

BASHKIA – “Mbështetja për futbollin në Rrogozhinë tashmë duket një praktikë që ka merituar shumë vëmendje nga të gjithë drejtuesit, në veçanti kryebashkiaku z. Beqir Nuredini. Për vetë ecurinë e mirë të skuadrës, kryebashkiaku ka bërë disa takime për nxitur e inkurajuar ekipin. U pa qartë gjatë muajve të verës se çfarë pune në kohë rekord u krye për të përshtatur e përmirësuar në standardet që kërkon FSHF-ja të të gjitha kushteve të infrastrukturës së ambienteve të brendshme e të jashtme dhe shumë ndryshime të tjera të qenësishme. Bashkia ka qenë e do të mbetet promotore e zhvillimeve të rëndësishme për futbollin rrogozhinas”, – ka përfunduar prononcimin e tij Ajdini.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.