Jo thjesht dominim në Grupin A të kampionatit të 19-vjeçarëve, por edhe për të vazhduar ëndrrën në Champions. Pas fitores me Tiranën, një rival direkt, skuadra e të rinjve të Vllaznisë tashmë përqendrohet në ndeshjen e kthimit ndaj Astanës, të vlefshme për “Uefa Youth League”. Pas humbjes 3-1 në ndeshjen e parë në Kazakistan, sfida e kthimit do të luhet javën e ardhshme në Shkodër, të mërkurën më datë 24 tetor.
Optizmi te kuqeblutë nuk mungon, me trajnerin Luan Zmijani që vlerëson formën e skuadrës. Në deklaratën e dhënë për faqen zyrtare të klubit Vllaznia, drejtuesi i stolit tha: “Ballafaqimi me Tiranën ishte i rëndësishëm, jo vetëm për kampionatin, por na shërbeu edhe si test prove përpara sfidës së kthimit ndaj kazakëve të Astanës. Skuadra po funksionon dhe këtë e tregoi më së miri edhe ndaj Tiranës, një nga rivalët tanë kryesorë”.
Trajneri kërkon që forma e mirë e kampionatit, të tregohet edhe në arenën ndërkombëtare: “Patëm raste për të shënuar edhe gola të tjerë, ashtu si dhe kundërshtari na vuri në vështirësi, por falë formës së mirë që po kalon portieri Qarri, e ruajtëm portën të paprekur. E rëndësishme është që Vllaznia U19 vazhdon të thotë ashtu si duhet fjalën e saj në kampionatin shqiptar dhe këtë do të mundohemi ta tregojmë edhe në takimin e vlefshëm për Ligën e Kampioneve të Europës për të rinjtë”.
Humbja 3-1 me Astanën është e vështirë për t’u përmbysur, por goli i Qardakut në fundin e ndeshjes i mban ende shkodranët në lojë. Fitorja 2-0 do të mjaftonte për të kaluar në raundin tjetër, aty ku ekipi që do të kualifikohet, do të ketë përballë fituesin e çiftit Vitorul-Dinamo e Zagrebit, me kroatët të cilët fituan 1-0 në ndeshjen e parë të luajtur në Rumani.