Redi Jupi ka komentuar përballjen e zhvilluar mes Vllaznisë dhe Kukësit që përfundoi në shifrat 0-0. Shkodranët kishin shumë mundësi të mira shënimi, por nuk ia dolën dot përballë verilindorëve. I ftuar në “Procesi Sportiv”, Jupi kishte një mendim tjetër sa i përket kësaj përballje. Teksa të ftuarit komplimentonin lojën e zhvilluar nga të dy skuadrat, Redi e ka cilësuar si një prej ndeshjeve më të dobëta dhe që ka prodhuar më shumë gabime.
“Më duket se kanë parë ndeshje tjetër. Vllaznia-Kukësi ishte ndeshje shumë e dobët, ishte ndeshej gabimesh. Kaq gabime sa kam parë te kjo ndeshje, nuk kam parë në gjithë javën që kam ndjekur futboll. Nga e hëna deri të shtunën mund të kem parë 30 ndeshje, por nuk i kam parë aq gabime sa te Vllaznia-Kukësi. Më bënë nervoz. Kukësi luajti më mirë se Vllaznia, Vllaznia luajti dobët prapë. Kukësi e dominoi në territor.
Vllaznia krijoi rastet për të goditur portën nga gabimet e Kukësit. Nëse vendosim një kamerë panoramike të fushës, Kukësi kishte dominim 60% të fushës. Por finalizimet zero të Kukësit krijojnë idenë tjetër. Eze merrte topin dhe dilte jashtë zone. Të marri sulmuesin topin nga brenda zonës dhe të dali jashtë, është e pakonceptueshme. Po e bëri nja tre katër herë këtë”, tha Jupi. /Sport Ekspres/