Tom Doshi kishte premtuar premio prej 5000 eurosh për çdo fitore të Vllaznisë deri në fund të sezonit, por nuk e ka mbajtur fjalën, sepse ditën e djeshme ka dhënë premio edhe për barazimin. Biznesmeni dhe politikani i njohur, i cili tashmë ka vendosur të bëhet mjaft aktiv me mbështetjen e tij për Vllazninë, ashtu si ka premtuar prej kohësh, tashmë po jep një kontribut të madh për skuadrën shkodrane. Pasditen e djeshme Doshi njoftoi drejtuesit e Vllaznisë se shpërblimi i tij mbetet në fuqi dhe do të kalojë në llogari të lojtarëve menjëherë.
Një lajm i bukur për kuqeblutë, jo thjesht për aspektin financiar, sepse të gjithë futbollistët kanë kontrata aspak të vogla, por afrimi i Doshit shton mbështetjen, duke bërë që pas Valter Fushajt, një tjetër personalitet i biznesit shkodran të afrohet pranë skuadrës dhe të garantojë në një farë mënyre të ardhmen, qoftë edhe në aspektin moral. Ndërkaq, Vllaznia do të luajë të hënën një ndeshje shumë delikate në Kukës dhe nëse fiton, nuk është çudi që klubi të akordojë ndonjë premio të veçantë, duke parë momentin delikat të sezonit.