Më në fund Vllaznia! Ekipi shkodran ka nisur punën dhe zyrtarizon në rolin e administratorit të përgjithshëm, Suad Licin. Ish-lojtari i kuqebluve merr këtë post pas largimit nga detyra e ish-administratorit, Astrit Gjyrezi. Ky i fundit u largua pas rënies së Vllaznisë në Kategorinë e Parë.
Ishte faqja zyrtare e Vllaznisë në “facebook” që dha lajmin se Lici do të marrë detyrën e administratorit të përgjithshëm të Vllaznisë. Shumë fjalë në ajër, por më në fund, Vllaznia ka një person në krye të klubit. Suad Lici do të jetë njeriu që do të merret me riorganizimin e ekipit kuqeblu.
Komunikata- “Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a bën të ditur se pas shqyrtimit të disa kandidaturave, ka vendosur që në postin e administratorit të tij, të emërojë z. Suad Lici. Një emër i tillë natyrisht që është shumë i njohur nga i gjithë ambjenti sportiv shkodran dhe shqiptar, sepse kemi të bëjmë me një futbollist që ka lënë gjurmën e tij gjatë aktivizimit shumëvjeçar me Vllazninë, por edhe me kombëtaren shqiptare.
Nga ana tjetër, formimi i tij akademik dhe suksesi në sipërmarrjet e tij private, na bëjnë të besojmë se ai është zgjedhja e duhur për drejtimin e Klubit. I urojmë shumë sukses z. Lici për ta kthyer Vllazninë sa më shpejt në nivelet më të larta.
KF Vllaznia”, – shkruan klubi kuqeblu.