Vllaznia është një Pus me talente, ai i radhës shkëlqen me U-20!

Një sukses 1-0 ndaj U-21 të Azerbajxhanit ishte një vitrinë për disa produkte vendase. Shkodrani ai që ra më shumë në sy, por edhe disa të tjerë… Trajneri Ernest Gjoka ndoshta duhet ta provojë

Tashmë nuk është më një rastësi, aspak një shenjë fati, por konfirmimi se Vllaznia është një “minierë ari” sa i përket talenteve dhe përpunimit të tyre që ka një shkollë prej disa dekadash… Emra të mëdhenj kanë kaluar, janë fërguar dhe më pas kanë debutuar dhe shpërthyer.

Nëse sot, ato emra do të ishin pjesë e ekipit, padiskutim që titulli do të ishte thjesht një “shëtitje”, por problemet e ndryshme ekonomike dhe situata aspak e qetë bëjnë që shkodranët të mos mbajnë dot askënd, duke e hequr dhe shitur qoftë edhe për një shumë modeste. Por, kjo është një tjetër histori. Emri i radhës, produkt i Vllaznisë mban emrin e Belajdi Pusit.

Vetëm 19-vjeç dhe me një idhull, Ronaldinjon, por edhe një skuadër, Barcelonën, Pusi është një sulmues shumë teknik që di të bëjë diferencën në fushë dhe dje, në miqësoren ndaj Azerbajxhanit, me fanellën e Shqipërisë U-20 të drejtuar nga Alban Bushi, e bëri më së miri.  Ndeshja gjatë gjithë kohës evidentoi dëshirën e madhe të formacionit kuqezi për ta fituar takimin dhe në minutën e 55-të erdhi goli me anë të lojtarit Belajdi Pusi. Në këtë ndeshje Bushi provoi shumë lojtarë të rinj në një kohë që realizuan një performancë shumë të mirë.

 

Veçohet edhe Arbnor Mucolli i datëlindjes 1999 i cili së bashku me disa elementë të tjerë janë një perspektivë shumë e madhe për kombëtaren U-21 dhe më tej akoma kombëtaren A.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *