Vllaznia ende është e paqartë për të ardhmen. Drejtuesit ende po shqyrtojnë opsionet për stolin në edicionin e ri, por duket se është një mision i vështirë, kjo për faktin se tekniku i ri duhet të përmbushë shumë kritere, duke nisur që nga paga, që do të jetë me një buxhet të reduktuar, por ka dhe një përgjegjësi të madhe, pasi ngjitja në elitë është më shumë se detyrim.
Një nga emrat që ishte lakuar më së shumti, ishte ai i Ervis Krajës, por “SportEkspres.com” zbulon se edhe tekniku në fjalë është tërhequr nga gara për trajner, së paku për momentin. Në të tilla kushte drejtuesit e Bashkisë duhet të shohin një tjetër mundësi.
Kraja e mori skuadrën në javët e fundit, por nuk mundi që ta shpëtonte, por duhet thënë se ishte i kushtëzuar, pasi ai i fitoi ndeshjet që drejtoi. Pavarësisht kësaj, vetë tekniku duket se nuk e sheh të arsyeshme që të vijojë me ekipin e parë. 35-vjeçari ka drejtuar skuadrën e dytë, por nuk përjashtohet që në një moment të dytë drejtuesit të bindin Krajën që të ndryshojë mendim.