Përveç Malotës, Gjokës do t’i mungojnë edhe dy të dëmtuarit Vucaj dhe Krymi
Vllaznia nuk gjen qetësi, edhe kur dukej se gjithçka kishte marrë për mbarë. Kur duhej që skuadra të ishte në një gjendje sa më optimale për të bërë më të mirën e saj në marrjen e pikëve që i duhen dhe i nevojiten më shumë se kurrë në luftën e egër të mbijetesës, Vllaznisë i duhet të përballet me njëmijë e një probleme. Ato që lidhen me sektorin e infermierisë në fakt u paralajmëruan që në mesjavë me pasojat e dëmtimeve të marra në sfidën me Partizanin. Ndërkohë, si për të dashur ta vështirësojë edhe më shumë situatën e pragndeshjes me Kukësin, në skenë krejt papritmas doli edhe problemi i Malotës. Pikërisht në momentin më të mirë të tij, kur edhe opinionet e specialistëve të futbollit shkodran e më gjerë po përcillnin vlerësime maksimale për formën e mirë sportive, ndërkohë që edhe drejtuesit kishin nisur procedurat për rinovimin e kontratës së tij me kuqeblutë, për shtatlartin e qendrës së mbrojtjes bëhen publike problemet që ai ka me drejtësinë.
Malota mungon përsëri
Më shumë se gjithçka, dita e djeshme për kampin kuqeblu paraqiste jashtë mase interes në lidhje me çështjen “Malota”, me mbrojtësin që ishte në listën e grupit të denoncuar për abuzime me tokat në zonën e bregdetit të Shëngjinit. Duke besuar se ajo që ndodhi një ditë më parë mund të kishte qenë një rastësi si pasojë e ndonjë keqkuptimi, të gjithë ishin të bindur se lezhjani ditën e shtunë do të ishte në përbërje të skuadrës për t’u përgatitur për sfidën e radhës me Kukësin. Por, një gjë e tillë, të paktën edhe për dje nuk ndodhi, pasi Malota nuk është parë të paraqitej në asnjërën prej seancave stërvitore të skuadrës kuqeblu.
Burime pranë klubit Vllaznia bëjnë të ditur për “Sport Ekspres” se drejtuesit e klubit, por edhe ato të Bashkisë, kanë qenë shumë të interesuar për t’iu gjendur pranë futbollistit të tyre në mbështetje të zgjidhjes së problemit në fjalë. Nga sa bëhet e ditur, kontaktet e drejtuesve kuqeblu përfshirë edhe trajnerin Gjoka kanë qenë sistematikisht ‘non stop’ gjatë të gjithë ditës së djeshme me Malotën, dhe sipas tyre, futbollisti vazhdon të besojë se është i pafajshëm ndaj akuzave të adresuara ndaj tij. Për këtë, Malota ka deklaruar se ai dhe familjarët e tij së bashku me avokatët përkatës të angazhuar në këtë çështje kanë vënë në dispozicion të drejtësisë të gjithë dokumentacionin e duhur që vërteton të vërtetën e kërkuar në këtë rast dhe janë në pritje të marrjes një OK nga strukturat përkatëse sa i takon sqarimit të përfshirjes së emrit të tij në listën e publikuar.
Vucaj dhe Krymi nuk ia dalin
Nga ekzaminimet që mjekët specialistë të Shkodrës bënë gjatë ditës së premte me pjesën e futbollistëve që vuanin dëmtimet e marra në përballjen e mesjavës me Partizanin, Ardit Krymi konsiderohej si shqetësimi kryesor. Megjithatë, e shtuna ka evidentuar shkallën e rëndë të dëmtimit e ka realisht Erion Vucaj. Mesfushori, që po kalon një gjendje speciale sa i takon formës sportive, ka një shqetësim serioz në pulpë, dhe për këtë burime nga stafi mjekësor kuqeblu bëjnë të ditur se është jashtë planeve të teknikut Gjoka për ndeshjen e së hënës në Kukës. Vucaj ka qenë prezent në seancën stërvitore të pasdites në “Reshit Rusi”, por pa qenë e mundur të stërvitej fare me skuadrën.
Ndërkohë, problem serioze vazhdojnë të jenë edhe për mesfushorin tjetër Ardit Krymi, por për këtë duhet thënë se në seancën e djeshme ka provuar t’i bashkohet skuadrës, por me një stërvitje të diferencuar dhe tërësisht nën kontrollin e stafit mjekësor, që do të thotë se ai vijon të jetë tërësisht në pikëpyetje të aktivizimit, të paktën nga minuta e parë. Ndërsa, sa i takon dyshes tjetër që i përket repartit të prapavijës, Gocaj-Berisha, gjendja e tyre gjatë ditës së djeshme ka qenë e mirë, dhe kështu ato janë plotësisht të gatshëm për trajnerin Gjoka për të kontribuar për skuadrën në përballjen me Kukësin.