Teuta me shans “të artë”, sezoni ndryshon në dy ndeshje

0

Durrsakët sfidojnë Lushnjen dhe presin Laçin, nëse arrijnë suksesin në këto dy sfida atëherë do të hidhnin një hap mjaft të sigurt drejt mbijetesës

Teuta arriti që të merrte një barazim 1-1 me kryesuesit e Skënderbeut javën e shkuar, por për mënyrën se si shkuan gjërat duhet të ndjejë keqardhje, pasi korçarët barazuan në sekondat e fundit të lojës. Nga ndeshja me kryesuesit, te takimi skuadrën që mbyll klasifikimin. Teuta e di mirë se nuk duhet të neglizhojë aspak apo të nënvlerësojë, pasi pikët për të janë etike dhe një gabim mund të kushtojë rëndë. Fakti që në fazën e katërt e pret Vllazninë në shtëpi kjo e favorizon, por synimi është që diferenca me shkodranët deri në atë ndeshje të jetë më e vogël se 3 pikë.

Dy ndeshjet e ardhshme për Teutën mund të jenë përcaktuese, pasi do të sfidojë Lushnjen në transfertë dhe do të presë Laçin në shtëpi. Duke parë që Vllaznia ka një kalendar shumë të ndërlikuar me Kukësin në “Zeqir Ymeri” dhe më pas do të ndeshet me Skënderbeun në “Loro Boriçi”, është një mundësi e mirë për “djemtë e detit” që të ngushtojnë diferencën, pse jo dhe të avancojnë të sigurt drejt mbijetesës. Në Lushnje nuk duhet asnjë hap fals, për të menduar më pas për takimin që do zhvillojnë në “Niko Dovana” me Laçin, ku do luajnë gjithçka për gjithçka. Nëse arrihet që të merret maksimumi, me shumë gjasa minimalisht diferenca me Vllazninë do jetë më e vogël. Në 5 ndeshjet e fundit, të besuarit e teknikut Gentian Begeja kanë humbur vetëm një sfidë, atë me Kukësin dhe kanë të drejtën e tyre që tani t’i bëjnë llogaritë me kujdes, pasi në këtë pikë të kampionatit çdo pikë vlen “flori”. Gjithsesi, para se të mendohet për ndeshjen me Laçin duhet fokusim maksimal për ndeshjen e sotme në Lushnje, sepse lagunarët japin maksimumin në çdo ndeshje dhe duhet kujdes ndaj tyre.  

Formacioni i mundshëm i Teutës (4-3-3)

Moçka – Gjorgievski, Bilali, Shkalla, Hakaj – Hila, Dediç, Hrkaç – Beqja (Kruja) Latif Lajthia

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.