Vllaznia barazon në Tuz, Orelesi “peng” në doganë

Nigeriani pengohet në doganë për skadim të vizës një ditë më parë. Kuqeblutë barazojnë me Deçiçin. Shënon Kruja

Gaspër Marku

Deçiç – Vllaznia      1-1

Vllaznia: Melka, Gurishta, Pjeshka, Marku, Ruqi, Tafili, Bardulla, Vucaj, Lika, Kruja, Kalaja. Tr: A.Cungu. U aktivizuan: Sherri, Mehmedaj, Miloti, Kukaj, Brahimi, Pusi.

Shënues: Mehmedaj 72’(Autogol) / Kruja 15’

Në barazim 1-1, me dy gola të kuqebluve, një në portën kundërshtare dhe një të veten (autogol) ka përfunduar përballjen e djeshme me skuadrën malazeze Deçiç. Një miqësore që kuqeblutë e projektuan me dëshiren dhe synimin për të testuar dhe në të njëjtën kohë për të kolauduar skuadrën në prag të startit të kampionatit. Megjithatë, përpos testimit të portierit Melka, i mbërritur dy ditë më parë për provë tek Vllaznia për stafin teknik kjo miqësore, e gjashta sipas radhës gjatë periudhës së fazës përgatitore, nuk është se i vlejti shumë. Kjo, për atë që skuadrës në këtë ndeshje u munguan shumë futbollistë titullarë. Ato nisen që nga problemet fizike me dëmtime të pjesshme të Gocajt, Hasanit, Atsinës dhe Çinarit, për të vijuar me mesfushorin Krymi i angazhuar me ekipin kombëtar Shpresa, për të shkuar edhe një e papritur që shoqëroi delegacionin spotiv shkodranë gjatë udhëtimit drejt shtetit fqinjë të Malit të Zi. Konkretisht bëhet fjalë për një problem që nigeriani Nuredin Orelesi ka pasur me dokumentacionin e tij personal. Gjatë kontrollit të listës së klubit të futbollit Vllaznia paraqitur në Piken Kufitare Hani Hotit, doganieret malazeze kanë konstatuar që leja e qëndrimit të Orelesit kishte skaduar vetëm një ditë më parë.  Pavarësisht interesimit të drejtuesve të klubit kuqeblu në organet kompetente, nuk është bërë e mundur të merret një përgjigje pozitive që Orelesi të lejohet të udhëtojë me skuadrës duke e detyruar atë të rikthehet në Shkodër.

Ndeshja

Një Vllazni me dy fytyra është parë të prezantohet në miqësoren e luajtur dje pasdite në Tuz të Malit të Zi përballë skuadrës malazeze Deçiç. Kuqeblutë e kanë nisur në mënyrën më të mirë ndeshjen duke prezantuar në fushën e lojës, mobilizim, ritëm dhe freski, ku edhe pse kishin përballë një nga skuadrat më të mira të Superliges malazeze shumë shpejt e kanë marrë lojën nën kontroll duke dominuar në të gjitha drejtimet. Si rezultat i këtyre veprimeve në të 15-tën minutë del në dritë edhe goli i avantazhit realizuar përmes një aksioni model me disa pasime, me një shkëputje të Kalasë në fundoren e djathtë, ku krosi i saktë të tij shfrytëzohet në mënyrën më të mirë nga Arsid Kruja që me një gjuajtje mjeshtërore tund rrjetën e vendasve. Formacioni i Deçiçit bën të gjitha përpjekjet për të reaguar, por të besuarit e Cungut nuk lëshojnë pe, ku me një lojë të mirëorganizuar, jo vetëm që mbajnë në fuqi avantazhin, por vazhdojnë sërishmi të sulmojnë në kërkim të një goli të dytë sigurie. 45-minutat e para mbyllen me avantazhin e shkodranëve mysafirë, ndërkohë që me fillimin e pjesës së dytë tekniku Cungu bën lëvizje në formacion duke nisur aktivizimin e disa të rinjve. Në këtë pjese loje Vllaznia nuk është ajo e fraksionit të parë. Megjithatë, rastet për shënim janë përsëri prezente në anën e kuqebluve, por atë që nuk e bën Vllaznia arrin të bëjë skuadra vendase, që si rezultat i një ngulmimi prej disa minutave në portën shkodrane i ndihmuar edhe nga mbrojtja mike që në tentativë për të larguar topin nga zona e kalon atë në rrjetën e vete, rezultati barazohet në 1-1. Kjo i takon minutës së 72-të, ndërkohë që më pas, pavarësisht përpjekjeve të të dy palëve, shifrat në fjalë nuk ndryshojnë më duke fiksuar shifrat përfundimtare në 1-1.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *