Në një kohë që Vllaznia e Gjokës do të luajë një finale të vërtetë mbijetese në Lushnjë, kush do ta ketë mendjen te ekipi B, që nuk do të ketë as disa titullarë?
Vllaznia B luan këtë sezon për herë të parë në Kategorinë e Parë, duke kryer një mrekulli të vogël, pas triumfit në play-off vjet, por duke parë sa shumë pengesa e halle e kanë ndjekur nga pas, duket sikur ka qenë një mundim i kotë. Javën e shkuar trajneri Ervis Kraja akuzoi hapur gjyqtarin e ndeshjes kundër Dinamos për gjykim tendencioz, në një ndeshje ku shkodranët pretenduan edhe për masa mjaft të dobëta organizative, deri te mungesa e ambulancës në Pezë-Helmës. Tani lind çështja e re: Vllaznia B luan nesër, në një orar me ekipin A!
PËRPLASJA – Nuk është hera e parë që ndodh, por më parë Vllaznia nuk e kishte ngritur zërin. Vllaznia B në një ditë me ekipin A është një absurditet, kur dihet se ekipi B ka disa lojtarë nga ekipi i parë dhe shpesh 3-4 lojtarë që janë pjesë e ekipit të parë, por nuk luajnë, një ditë më pas kalojnë te ekipi B, sipas rregullores. Duke pasur një numër të madh të rinj, Vllaznia ka toleruar, ndërkohë që barrën e ka përballuar trajneri Ervis Kraja, sepse ka qenë i detyruar të ndryshojë formacion thuajse çdo javë, sepse ka pasur raste që ka luajtur edhe një ditë para Vllaznisë dhe për pasojë ka lënë jashtë disa titullarë. Megjithatë, tani duket se Vllaznia B duhet të ngrejë zërin, sepse kampionati sa vjen e ashpërsohet dhe ashtu si në shumë vende të tjera ku ka ekipe B, është normale që të mos luhen ndeshjet në një ditë. Jo vetëm kaq, por nesër do të luhet në të njëjtën orë (14.00) dhe imagjinoni çfarë interesimi do të ketë për Vllazninë B, kur të gjithë e kanë mendjen te ndeshja në Lushnjë.
KLUBI KËRKON SPOSTIMIN – Vllaznia ka reaguar, duke i dërguar një kërkesë zyrtare FSHF-së që ndeshja Vllaznia B-Besëlidhja të shtyhet për të dielën. Në aspektin juridik nuk përbën asnjë problem, sepse nëse është bërë një gabim, ai korrigjohet lehtë nga Federata. Edhe kalendari nuk ka asnjë problem, sepse Kategoria e Parë nuk ka ndeshje mesjavën e ardhshme, që mund të rëndonte njërën apo dy skuadrat. Gjithashtu, distanca Shkodër-Lezhë është e papërfillshme, ndaj nuk është se programet e Besëlidhjes do të ndryshonin totalisht, ndaj kërkesa shkodrane është mëse legjitime dhe logjike, për të pasur në dispozicion edhe dy-tre lojtarë nga ekipi i parë, por edhe për të pasur në stadiumin Reshit Rusi ndonjë tifoz më shumë.
KRAJA – Trajneri i Vllaznisë B, Ervis Kraja, është i bindur se vendosja e ndeshjeve në një orar është një gabim që mund dhe duhet të rregullohet pa vështirësi nga FSHF-ja, nëse ekziston dëshira e mirë. “Ekipi i parë është në një moment të vështirë dhe jemi të gjithë të përqendruar te ndeshja në Lushnjë, si tifozët, ashtu edhe drejtuesit e klubit, që do të jenë në Lushnjë. Ekipi B është formuar që të ketë marrëdhënie të ngushtë me ekipin e parë, në shkëmbim lojtarësh, ndaj nuk më duket normale që të luhet në një ditë e orë. Vllaznia B ka luajtur edhe herë të tjera të dielën dhe ka pësuar disa humbje, ndaj nuk është ndonjë favorizim dhe shpresojmë që në FSHF ta marrin parasysh kërkesën tonë. Është anormale që të luajmë nesër në orën 2, kur asnjë shkodran nuk do e ketë mendjen te ne, as vetë ne nuk e kemi mendjen te ndeshja jonë, por te ekipi i parë. Shpresoj që edhe Besëlidhja, që ka shumë shkodranë në ekip, ta marrë parasysh kërkesën tonë, për të luajtur një ndeshje normale dhe në kushte të barabarta, duke qenë se disa lojtarë të shtunën nuk i kemi në dispozicion”.