Në bazë të skemës së veçantë të kampionatit në Kategorinë e Parë, gara për mbijetesë ka nisur nga e para dhe tashmë shumë skuadra rrezikojnë, duke e bërë finale çdo takim.
Sot ndeshja më spektakolare u luajt në Shkodër, ku Vllaznia B barazoi 3-3 ndaj Besës, në një sfidë që pa kavajasit të shënonin që në fillim, por shkodranët përmbysën deri në avantazhin 3-1. Shënoi edhe Olsi Gocaj, në ndihmë të ekipit B, duke qenë I pezulluar për ndeshjen e ardhshme në Superiore.
Megjithatë, Besa arriti të barazonte dhe të merrte një pikë të artë, që e mban 5 pikë larg fundit të tabelës, aty ku janë pikërisht Vllaznia B dhe Tërbuni. Skuadra pukjane barazoi sot 0-0 në Burrel, duke marrë një pikë me shumë rëndësi, sepse në këtë mënyrë ka mbajtur afër edhe një rival direkt në renditje.
Ndërkaq, në grupin B play-out Naftëtari ka përfituar nga rënia e motivimit te Shënkolli, që ka shpëtuar. Fitore 2-1 me përmbysje për kuçovare, ashtu si për Turbinën, që ka marrë leje fitore të madhe ndaj Shkumbinit, duke fituar 3-2 me tre gola në pjesën e dytë.
Pikë e artë për Turbinën, ankth për Shkumbinin, që futet në telashe të mëdha.
E SHTUNË, 24 MARS 2018
VLLAZNIA B – BESA 3-3
Shënues: Gocaj 30′ pen., Pusi 39′, 50′ / Mihani 4′, Onu 70′, Bakalli 74′
BURRELI – TERBUNI 0-0
SHKUMBINI – TURBINA 2-3
Shënues: Pashaj 28′, Xhyra 50′ / Xhelili 64′, Çota 71′, Roshi 90’+3
NAFTETARI – SHËNKOLLI 2-1
Shënues: Behari 46′, A. Gega 50′ / Ujka 14′