Vlerësimi për lojtarët që u provuan nga Reja ndaj Estonisë, një pikëpyetje mbi “mbretin” Vrioni dhe shumë zhgënjime

Shqipëri-Estoni ishte një miqësore që nuk i duhej askujt pas rezultateve negative ndaj Islandës dhe Israelit. Por jo lojtarëve të rinj që u aktivizuan sot nga trajneri Reja. Shumë prej tyre janë të ndërgjegjshëm se në rastin më të mirë duhet të presin edhe një vit tjetër për të hyrë sërish në fushën e blertë me fanellën e Kombëtares.

Ndryshe nga e shkuara, tanimë nuk ka ndeshje miqësore dhe nuk është luksi i eksperimenteve. Për këtë arsye, duhej që lojtarët e rinj t’i tregonin trajnerit dhe tifozëve sesa ishte gabuar me ta për mungesën e aktivizimit, por edhe që të ishin në konsideratë për provën e zjarrit në shtator.

Sport Ekspres” ka zgjedhur që të bëjë vlerësimet për lojtarët e rinj që janë aktivizuar ndaj Estonisë. Sigurisht që nga kjo listë kemi përjashtuar portierin Selmani, Veselin, Hysajn, Mihajn, Ramadanin dhe Cekicin pasi nuk është Estonia ndeshja ku ata duhet të vlerësohen.

Por edhe sa i përket lojtarëve që kanë pasur më pak minuta te Kombëtarja, do të mjaftohemi vetëm me përshkrim pasi në të kundërt nota do të ishte shumë e ulët në një 0-0 me Estoninë dhe kjo mund të ndikojë edhe direkt në gjendjen psikologjike të futbollistëve që janë të rinj dhe duan kohën e tyre. Le t’i shohim me vëmendje disa elementë:

Adrian Bajrami: “Kur doli formacioni i Shqipërisë ndaj Estonisë, nëse kishte një lojtar për të cilin tifozët kishin interes, ishte pikërisht Adriani. Të gjithë e mbajmë mend se çfarë ndodhi kur Shqipëria e mori këtë lojtar dhe sesi reaguan mediat në Zvicër që e quajtën një xhevahir mbrojtësin e të rinjëve të Benfikës. Madje edhe kur mbërriti te Shqipëria, shpresonin ende se nuk do të luante dhe më vonë do të zgjidhte Zvicrën. Një element interesant që në pjesën e parë nuk kishte shumë punë ndaj Estonisë në aspektin mbrojtës. Disa topa të gjatë u lëshuan prej tij dhe në disa raste rezultuan kër.cënuese. Në pjesën e dytë i shfaqi më tepër vlerat në mbrojtje, madje në një moment duke dalë edhe nga një zonë e vështirë teksa ishte i rrethuar nga tre lojtarët e Estonisë. Kërkoi që të ndihmonte edhe sulmin duke shkelur gjysmëfushën e Estonisë. Nuk ishte ky kundërshtari për t’i njohur realisht vlerat, por ky mbrojtës meriton shumë vëmendje dhe konsideratë. Të mos qëndrojë gjatë vetëm në stol dhe të provohet sërish Veseli që nuk është aktivizuar te Salernitana prej kohësh, madje ekipi italian nuk e merrte as për të qëndruar në stol”.

Erion Hoxhallari: “Elseid Hysaj është tema kryesore kur flitet për Kombëtaren. Mbrojtësi ka çaluar ndjeshëm në krahun e majtë, pasi në skemën 3-5-2, lojtari i krahut përveçse duhet të jetë i mirë në mbrojtje, nga ana tjetër kërkohet të njëjtat karakteristika edhe për ndihmën e fazës sulmuese. Driblim, pasime të rrezikshme dhe krosime me saktësi. Hysaj i ka jashtë bagazhit të tij. Në media është hedhur shpeshherë edhe Hoxhallari si një zëvendësues që mund të rezultojë më i mirë se shkodrani. Por ndaj Estonisë, nuk e tregoi një gjë të tillë. Tanimë pjesë e UTA Arad, Hoxhallari tregoi se është ende herët për të kërkuar një fanellë titullari te Shqipëria. Kishte të njëjtin problem si Hysaj për ndihmën në sulm, madje me limite më të mëdha në marrjen e krahut me driblim. I vetmi plus për të është fakti se luan me këmbën e majtë dhe kjo e ndihmon së tepërmi, por edhe krosimet e futura në zonë ndaj Estonisë nuk rezultuan idealet. Ka ende shumë punë për të bërë”.

Enis Cokaj: “Presim shumë nga ky mesfushor 23-vjeç. Prej kohësh ka spikatur te Lokomotiva e Zagrebit dhe ka qenë pjesë e Shqipërisë U-21, duke u krahasuar shpeshherë me stilin e Amir Abrashit. Në mesin e shumë lojtarëve që u futën si të rinj ndaj Estonisë, Cokaj spikaste me emrin e klubit nga vjen. Por edhe vetë mesfushori nuk do të jetë i kënaqur me veten kur ka përfunduar ndeshja. Disa faulle të tepërta ndaj Estonisë që i jepnin frymëmarrje kundërshtarit dhe loja shumë e thjeshtë me pasime, e zbehin vlerësimin. Sigurisht që bëhet fjalë për një lojtar me natyrë më mbrojtëse, por te Lokomotiva e Zagrebit ka arritur të shënojë apo të dhurojë asist. Këtë herë me Estoninë i duhej që të shfaqte më tepër vlera edhe në mbështetjen e sulmit, nuk e bëri një gjë të tillë”.

Taulant Seferi: “Në media e kanë mbrojtur të gjithë dhe kritikuan Rejën për Seferin. Pasi shënoi golin e vetëm të Shqipërisë ndaj Islandës, u ul në stol kundër Israelit dhe nuk iu dha mundësia për të treguar veten. Logjika ishte e drejtë, por Seferi ishte i detyruar për t’i dhënë një tjetër provë të gjithë dyshuesve të tij se e meriton të luajë edhe titullar me Kombëtaren. Ndeshja me Estoninë ishte për t’u harruar për të. Me të njëjtin stil loje si ndaj Islandës, por pa gol të shënuar dhe pa e goditur portën kundërshtare. Shfaq disa paqartësi, nuk hyn në driblim në asnjë moment dhe nuk ka lëvizje befasuese për të kërcënuar Estoninë, shumë i thjeshtë”.

Xhakomo Vrioni: “Të gjithë po e mendojnë, por disa nuk po i japin zë opinionit të tyre për “mbretin e golave”. Ndoshta është ende herët për të dalë në një konkluzion. Por Xhakomo Vrioni duket shumë larg asaj që duhet të jetë në fakt ose më saktë, si e kemi imagjinuar ne. Nëse formacioni titullar i Shqipërisë do t’i lihej në dorë tifozëve, padyshim që dyshja e tyre më e preferuar do të ishte: “Armando Broja-Xhakomo Vrioni”. Por ky i fundit e tregoi se është ende larg të qenit nga minuta e parë në fushë me Kombëtaren. Nuk të krijon idenë e një sulmuesi që po vjen me 19 gola nga elita e Austrisë dhe që doli në vendin e parë në listën e golashënuesve me Adeyemi të Dortmundit tanimë. Diçka më tepër pritej që të shihej prej tij. Sigurisht, mesfusha jonë nuk po furnizonte sulmuesit që të kishin mundësi të mira. Por pritej qoftë një lëvizje me pak klas apo një shkëndijë e vetme që të bëje të kuptoje se Vrioni është rritur shumë. Duket po i njëjti si atëherë kur debutoi me Panuçin te Shqipëria, pa shumë ndryshime madhore. Po ashtu si Seferi nuk futet dot asnjëherë në driblim ndaj kundërshtarit. Në fund humbi edhe një rast flagrant, më i pastërti i ndeshjes, me koordinimin e gabuar pas gjuajtjes me kokë falë krosimit të Cekicit. Një mundësi tjetër të artë Vrioni e kishte shpërdoruar edhe me Gjeorgjinë më para, ndërsa edhe me Islandën mund të bënte ndoshta diçka më tepër në një rast. Shpresojmë të jetë vetëm arsye ambientimi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online