Atalanta e ka nisur në mënyrën më të keqe aventurën në “Champions League”, duke u mundur me rezultatin 4-0 ndaj Dinamos së Zagreb. Nga minuta e parë luajti si titullar edhe mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti.
Në një ekip ku asgjë nuk funksionoi përgjatë 90 minutave, lojtari i Kombëtares nuk mund të bënte më tepër. Nga “Calciomercato” u vlerësua me notën 5, ndërsa në përshkrim u cilësua se karton i verdhë që mori në fillimin e lojës, e kushtëzoi shumë për ndërhyrje në gjithë pjesën tjetër të ndeshjes.
Por nëse kjo media ishte e përmbajtur në vlerësimin e saj, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për “Bergamopost”. Kjo e fundit i përkushtohet vetëm ekipit të Atalantës, ndërsa Gjimshitin e ka vlerësuar në mënyrë të padrejtë me notën 4, si lojtarin më të dobët të ndeshjes.
Papritur kujtohen edhe për historikun e mbrojtësit të Kombëtares, duke thënë se ka qenë pjesë e Serisë B përpara disa kohësh: “Ishte vërtet keq. Paguan kalimin e madh në pak vite. Para tre vitesh ishte në Serinë B me Avelinon, pastaj me Beneventon në Serinë A dhe sot në “Champions League”. Dështon në ndeshjen e parë të këtij kompeticioni”, shkruhet në vlerësimin për Gjimshitin. /Sport Ekspres/