Partizani ishte ekipi i vetëm shqiptar që arriti të fitojë në fazën e parë të Europës. Të kuqtë mundën Saburtalon me shifrat 0-1, për më tepër në transfertë. Por si u paraqitën të kuqtë? Mehmeti meriton notën maksimale për zgjedhjen e formacionin, praktikisht kryeqytetasit ishin me më të mirët në fushën e blertë dhe u pa qartë se nuk ishte bërë asnjë gabim.
Për më tepër edhe ideja e lojës rezultoi e goditur. Në fillim Partizani duhej të priste hovin e gjeorgjianëve. Duke parë vlerën e njëjtë në letër të dy ekipeve, padyshim që vendasit do të tregonin dhëmbët dhe merrnin fushën në 20 minutat e para.
Por në asnjë moment Teqja nuk u vendos në vështirësi, madje ka qenë “tifoz pa pagesë” deri në minutën e 90. Ndërkohë loja ishte e bazuar te kundërsulmi, por jo pa ide, kërkohej të dilnin nëpërmjet kombinimeve. Kur po vinte fundi i pjesës së parë erdhi edhe rasti i parë i rrezikshëm i Partizanit që pas krosimit të Muratajt, Skuka iu afrua golit.
Në të dytën, Partizani e nisi me vrull dhe shënoi menjëherë me Carën, ndërsa shumë mundësi u shpërdoruan më pas. Pra gjithçka shkoi sipas planeve të Mehmetit. Dyshja e qendrës së mbrojtjes, Bitri-Belica, ishin në super nivel duke i fituar të gjitha duelet me kundërshtarët. Për më tepër Bitri merr edhe rolin e udhëheqësit në ekip.
Skuka tregon edhe njëherë tjetër se është në lartësinë e duhur për të marrë me vete ekipin. Falë aftësive të tij në driblim do të vinte edhe goli i parë, jo të gjithë lojtarët e Partizanit do t’ia dilnin në atë moment për të lënë pas mbrojtësin kundërshtar. Tedi Cara ishte autori i golit, ndërsa ndeshje shumë e mirë ishte edhe ajo e Murataj.
Një lojtar i mirë e tregon veten kudo! Këtu po flasim për Hadrojn që pasi na impresionoi në Superiore, e tregon forcën edhe në Europë. Por ndeshja mes Saburtalos dhe Partizani e tregoi më së miri gabimin e madh që bëjnë ekipet shqiptare në verë, që ndryshonin vazhdimisht 90% të ekipit.
Pavarësisht afrimeve dhe largimeve, Mehmeti zgjodhi me të drejtë që të mbante në pjesën më të madhe bazën e ekipit të vjetshëm në formacionin startues. Gjithmonë futjet në skuadër të lojtarëve të rinj duhet të jenë vetëm në rastet kur janë shumë cilësorë dhe bëjnë diferencën, siç u vepra me Hotin, që sërish i shpërbleu besimin drejtuesëve të klubit edhe ndaj Saburtalos.
Ndeshje mesatare ishte ajo e maqedonasit Atanaskoski që ka çaluar disa herë. Ndërkohë tre afrimet e reja që hyn nga stoli, Telushi, Ndreca dhe Cvetanoski dukeshin qartë se nuk mund të luanin kurresi nga minuta e parë.
Cventanoski fali rastin e pastër të golit të dytë, duke bërë më të vështirën, për të dërguar topin jashtë stadiumit. Ndërkohë Telushit i shpëton në mbulim lojtari kundërshtar në një goditje standarte dhe vetëm fati i madh e ruajti Partizanin në atë moment nga barazimi i rezultat.
Edhe për Ndrecën shihej mos përshtatja dhe koha e pakët, shumë ndryshe nga siguria që ai ofron. Nëse të gjitha këto afrime do të vendoseshin nga minuta e parë, një gjë është e sigurt, Partizani nuk do të dilte me fitore nga Gjeorgjia. /Sport Ekspres/