Vjen shpikja e radhës në Shqipëri! Lejohen 15 persona në 80 metra hapësirë, por mos e hapni futbollin

Nga Klaudio Ndreca

Në Shqipëri nuk kanë të ndalur shpikjet e radhës që vijnë edhe në kohë pandemie. Këtë herë ishte ministria e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini, që ka zyrtarizuar masat më të fundit. Sigurisht që për sportin nuk mund të flitej asgjë, pasi nuk është në planet e qeverisë, të paktën për momentin.

Por është vërtet qesharake ajo që është publikuar si një lehtësim dhe hapje pas shtetrrethimit. Kështu do të hapen shkollat për maturantët, madje që në datën 18 maj. “Me distancë nga 1.5 metra ndërmjet tyre dhe klasat nuk duhet të kenë më shumë se 10-12 nxënës, maksimumi 15”, u shpreh Besa Shahini. Askush nuk e dyshon faktin se futbolli nuk është prioritet dhe se arsimi vjen para tij, që është njëkohësisht edhe mendimi i parë që vjen në lidhje me këtë krahasim.

E megjithatë thuhet se në këto kohë, shëndeti i njerëzve është kryesori dhe se jetët tona janë duke u rrezikuar seriozisht, si asnjëherë më parë. Por pyetja që lind: “Si mund të jetë më e sigurt nga ana shëndetsore dhe mos infektimi me Koronavirus, fakti që të qendrojnë 15 njerëz brenda 80 metrave që është një klasë, krahasuar me 15 futbollistë që kërkojnë të stërviten në 5000 metra fushë futbolli?”. E për më tepër që në rastin e dytë bëhet fjalë për një ambient të mbyllur dhe jo të kufizuar, apo kur ka edhe staf mjekësor që qëndron pranë lojtarëve. Një pyetje retorike kjo, ndërsa klubet presin përgjigjen e Qeverisë për të dalë në stërvitje. /Sport Ekspres/