Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë ditën e nesërme një seminar, ku janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë drejtuesit e Akademive, si për Kategorinë Superiore ashtu edhe për Kategorinë e Parë. Arsyeja e këtij seminari është procesi i licensimeve për sezonin e ardhshëm 2020-2021, ndërsa i pranishëm në të do të jetë edhe Drejtori i Akademisë së Dinamos së Zagrebit, Damir Krznar.
E gjitha kjo do të shërbejë për ndarjen e eksperiencës dhe përvojës me një pjesëtar të rëndësishëm, që vjen nga shkolla më e madhe e futbollit në Kroaci, por gjithashtu edhe një nga më të mëdhatë në Ballkan. Klubet shqiptare kanë shfaqur problem me proçesin e licensimeve para nisjes së këtij sezoni, prandaj një organizim i tillë shërben për shmangien e problematikave të tilla në të ardhmen./Sport Ekspres/
Njoftimi i plotë:
Në kuadër të procesit të licensimeve për sezonin 2020-2021, FSHF organizon nesër një seminar me të gjithë drejtuesit e Akademive të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë. Në këtë seminar është i ftuar, Damir Krznar, Drejtori i Akademisë së GNK Dinamo Zagreb. Seminari zhvillohet në sallën e konferencave të FSHF në orën 11:00.