Një gjë është e sigurtë, Shqipëria ka një brez të shkëlqyer të rinjsh. Këtë e tregoi Kombëtarja U-21 në ndeshjet përballë Austrisë U-21 dhe Andorrës U-21. Por edhe grupmoshat U-19 dhe U-17 gjithashtu kanë nën organikën e tyre lojtarë mjaft të talentuar.
Dita e sotme ishte historike për një djalosh 17 vjeçar si Mario Mitaj, i cili është thirrur nga ekipi i parë i AEK-ut në derbin e zjarrtë të Athinës, AEK-OLYMPIAKOS që do të zhvillohet në 12 shtator. Kjo është një super arritje për djaloshin e ri, pasi vetëm në një moshë të re afirmon veten në një nga klubet legjendare të Greqisë.
Pavarësisht se është në moshë mjaft të re, karriera e lojtarit është e mbushur me plot ngjarje. Përshkak të presioneve të njëpasnjëshme te palës greke, për ta bindur lojtarin që të zgjidhte kombëtaren helene, Mitaj vendosi të largohej nga Athina në drejtim të Spanjës, duke lënë AEK ku doli si futbollist. Akademitë spanjolle iu përshtatën mjaft mirë 17 vjeçarit, i cili tashmë është kthyer si pjesë e një klubi si AEK që e ka thirrur në ekipin e parë dhe që do ta rrisë profesionalisht si dhe do ta bëjë gati për Kombëtaren Shqiptare. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/