Jahmir Hyka ishte risia e kombëtares në stërvitjen e sotme, në seancën e paradites. Mesfushori ka ardhur më vonë se të tjerët, për shkak të fluturimit të gjatë e me ndalesa nga Amerika, ku aktivizohet, ndaj trajneri Panuçi i ka dhënë një ditë më shumë kohë.
Në seancën e paradites ka munguar Armando Sadiku, me një gjendje gripale, ndaj Panuçi e ka lënë pushim, për të mos rrezikuar. Tani shpresohet që sulmuesi ynë të jetë gati për Lihtenshtejnin, por te stafi mjekësor nuk ka shqetësim ende.
Ndërkaq, para seancës së sotme trajneri kuqezi e ka mbledhur skuadran në mesfushë, duke mbajtur një fjalim ku ka kërkuar përqendrim maksimal. Panuçi ka marrë si shembull edhe kartonin e kuq të Mavrajt në ndeshhen e fundit të kampionatit.
Paralajmërim për një ndeshje të mirë ndaj Lihtenshtejnit, rival që nuk duhet nënvlerësuar dhe duhet vënë nën preaion konstant, për të pasur lojën nën kontroll.
“Dua maksimumin, që në stërvitje. Të shtunën duhet t’ia bëjmë jetën sa më të vështirë kundërshtarit”, tha ndër të tjera trajneri kuqezi.