Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka udhëtuar në Kosovë në vizitën e tij të parë si zëvendëspresident i UEFA-s. Ai ka vizituar edhe fanclub-in e tifo-grupit “Dardanët”. Armand Duka ka qenë në shoqërinë e homolout të tij në FFK, Agim Ademit. Një tregues i pastër ky i bashkëpunimit të mirë mes dy federatave shqiptare. Kryetari i grupimit “Dardanët” ka shpërndarë një postim në llogarinë e tij në “Facebook”, ku shpreh kënaqësinë që ka pritur zëvendëspresindentin e UEFA-s. Lulëzim Berisha hedh poshtë hipotezat për një krisje të raporteve mes FSHF-së dhe FFK-së, teksa shkruan se po punohet me përulësi për të çuar përpara futbollin shqiptar.
“Zëvendespresidenti i UEFA-s dhe njëherësh shefi i futbollit shqiptar, Armand Duka, na nderoi me vizitën e tij te fanclub-i i ‘Dardanëve’, në shoqërinë e presidentit të FFK-së, Agim Ademit. Është vërtetë kënaqësi të shohësh kur shqiptarët bëjnë progres kaq të madh në institucione ndërkombëtare dhe kjo sërish nuk i pengon të mbeten të përulur dhe në shërbim të përmirësimit të futbollit, duke i harmonizuar veprimet me njëri-tjetrin. Kjo fotografi është imazhi më i mirë i një bashkimi modern mes shqiptarëve që angazhohen e punojnë për të mirën e përbashkët, pavarësisht çfarë thonë gojët e liga”, ka shkruar Lulëzim Berisha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/