Vinicius Junior kaloi çdo kufi, Ançeloti “është çmendur”: Nuk ishte karton i kuq, do ta apelojmë, portieri e provokoi

Një fitore emocionuese ishte ajo e Real Madrid në transfertën ndaj Valencias. Vendasit po fitonin në shifrat 1-0, ndërsa fitorja u duk më e sigurt pasi Vinicius Junior u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 79.

Por siç jemi mësuar nga madrilenët, në momentin që ndeshja duket e përfunduar, për ta bëhet më emocionuese për ta rinisur. Modric në minutën e 85 dhe Bellingham në minutën e fundit i dhanë tre pikët Real Madrid në këtë takim.

Ajo që ishte vërtet e turpshme në përfundimin e ndeshjes, ishte deklarata e Ancelotit. Trajneri i Realit i doli në mbrojtje edhe njëherë ekipit të tij, por në mënyrën më të keqe të mundshme. “Nuk ishte karton i kuq te Vinicius, portieri i Valencias e shtyu dhe Vinicius reagoi. Duhej të jepej karton i verdhë për të dy. Do ta apelojmë vendimin”, tha Anceloti.

Por çfarë ndodhi në këtë rast? Pasi hyri në zonë dhe stimuloi për një penallti, siç ndodh gjithmonë nga Vinicius pas një dueli të humbur, portieri kundërshtar e ftoi të ngrihej duke pasur një kontakt të lehtë fizik me të. Më pas Vinicius e goditi portierin kundërshtar, që nga ana tjetër bëri pjesën e tij të aktrimit duke u hedhur në tokë.

Sjellja e përsëritur e VInicius ishte e turpshme dhe e pajustifikueshme. Ajo që vihet re është se në këtë rikthim të Ancelotit te Real Madridi, trajneri po sillet ndryshe në konferencat për shtyp. Duke parë edhe fundin e karrierës së tij si trajner, Anceloti ka lënë tutje diplomacinë dhe “drejtësinë” në fjalët e tij, duke zgjedhur që të mbrojë në mënyrën më të keqe disa situata që janë të pambrojtshme te Real Madridi si rasti në fjalë. Mund të fitojë trofe dhe ndeshje me përmbysje, por konferencat për shtyp të Ancelotit, bëni mirë që të mos i ndiqni. /Sport Ekspres/