Simon Rrumbullaku mund të jetë shumë shpejt pjesë e Antaliasporit. “Sport Ekspres” raportoi se Kukësi ka pasur kontakte me skuadrën turke dhe bëhet fjalë për një ofertë prej 300 mijë eurosh. Mësohet se bisedimet po shkojnë mirë dhe drejtori i skuadrës Nderim Nexhipi po merret me bisedimet dhe gjithçka pritet të konkretizohet në ditët e ardhshme. Vështirë se Kukësi do e refuzonte një ofertë të tillë. Edhe për vetë Rrumbullakun do të ishte një mundësi e mirë, pasi mund të konsiderohet hapi i radhës për të në karrierë, sepse mund të luajë në të njëjtën skuadër me yllin kamerunas Samuel Eto.
Kukësi e mbyll me fazën, sot kthimi në Shqipëri
Kampionët për 12 ditë janë përgatitur në kushte shumë të mira, megjithatë i ka ardhur fundi dhe minifazës përgatitore në Antalia të Turqisë. Kampionët zhvilluan dhe tre takime miqësore në tokën turke, ku arritën që të mposhtnin Kajserisporin dhe Bursasporin, por dhe të barazonin me Fenerbahçen. Tekniku Pakult dhe lojtarët shpesh në prononcimet e tyre për mediat janë shfaqur të kënaqur për përgatitjet, por tashmë deri në rifillim të kampionatit, skuadra do të stërvitet në Pezë-Helmëz.