(VIDEO+FOTO) Mançini nis nga puna: Itali, na duhet kohë, nuk jam një magjistar!

Aventura e Roberto Mançinit si trajner i Italisë ka nisur në Koverçiano, teksa janë grumbulluar 28 të kaltrit të zgjedhur për tre miqësoret ndaj Arabisë Saudite (28 maj, në Sen Galen), Francë (1 qershor në Nicë) dhe Holandë (4 qershor në Torino). Të grumbulluarit kanë mbetur 27, pasi Bernardeski ka lënë grupin për dëmtim, i verifikuar me kohë dhe që është analizuar nga stafi mjekësor i Italisë. Edhe Imobile dhe Zaza nuk kanë marrë pjesë në stërvitjen e djeshme, teksa janë paraqitur në klinikë për analizat: laciali la Koverçianon (dhe për momentin nuk do të zëvendësohet), ndërsa sulmuesi i Valencias qëndron. Shumë shpejt mund të bashkohen me grupin Kutrone, Barrela dhe Kalabria, por vetëm pas impenjimit me U-21 kundër Francës (në program më 29 maj), që do t’i shohë në fushë.

Mançini ka udhëhequr skuadrën me fanellë, pantallona dhe këpucë futbolli, siç edhe është zakoni, në stërvitjen e parë: futbollistët e ndarë në grupe, puna e ndarë në fusha të ndryshme. Sakaq, pas prezantimit të dhjetë ditëve më parë, ka ardhur konferenca e parë për shtyp me kombëtaren… në fushë.

Përshtypja e ditës së parë?
Dita e parë ishte njohje, sepse ne njihemi mjaft mirë. Dhe, në fushë vrapova bashkë me djemtë, sepse kështu jam mësuar.

Baloteli është gati për të bashkuar dhe jo më për të ndarë?
Duhet të jetë e gjithë skuadra ajo që bashkon në një moment të vështirë për futbollin tonë. Mario është një futbollist i veçantë, që në moshë të re është një futbollist i madh, por më pas ndoshta nuk ruajti atë profil që kishte në fillim. Do të varet nga ai, në dy vitet e fundit ka bërë mirë, kam besim: duhet të japë më të mirën dhe të sillet ashtu si di.

Ka shanse që të shohim Bufonin më 4 qershor në Torino?
Fola me Xhixhin në telefon dy ditë pasi u zgjodha trajner, ishte bisedë shumë e shpejtë: më shpjegoi se cili ishte qëllimi i tij, dëshiron të vazhdojë të luajë. Të gjithë ata që do të vazhdojnë të luajnë do të jenë ende më të mirët dhe mund të luajnë në kombëtare. Kam respekt për vullnetin e tij, më duket e drejtë.

I perceptoni vështirësitë në punën që duhet të bëni?
Nuk jam magjistar, nuk është asnjë trajner. Duhet kohë, nuk do të mjaftojë një, dy apo pesë ndeshje. Ka pasur një periudhë të pabesueshme bollëku lojtarësh: tani nuk është më kështu, por besoj se këto lojtarë, duke i dhënë besim, mund të bëhen të zotë dhe t’i japin shumë kombëtares. Shumë nuk kanë luajtur në kupat e Europës: do të jetë një punë më e lodhshme se në të shkuarën, por kombëtarja gjithmonë ka bërë më shumë lojtarë të zotë me kalimin e kohës. Ndonjëherë fitoret vijnë kur nuk i pret, shembulli janë kombëtaret që kanë arritur në nivel të lartë në dy vjet.

Mungesa e De Rosit është përfundimtare?
Për të vlen diskutimi i njëjtë me Bufonin: të gjithë ata që mund t’i japin një dorë kombëtares do të jenë të grumbullueshëm, dera nuk është e mbyllur për asnjë. Ndoshta pas tetë muajsh do të jetë një ndeshje e rëndësishme, atëherë pse të mos e thërras nëse ndihet mirë? E qartë që duhet të punojmë duke menduar edhe për të ardhmen, pra pas 2 vjetësh, për Europianin.

Perin do të lërë Xhenoan për të shkuar te Juventusi pa siguri vendi titullar: kush do të luajë pak rrezikon kombëtaren?
Për një portier kur nuk luan është problematike. Por, ai ka cilësi të tilla sa mund të luajë kudo.

Çfarë i ke thënë dhe çfarë të ka thënë Baloteli?
Vetëm “mirëmëngjes mister”. E pyeta si ndihej dhe kaq: nuk kam pasur ende kohë për të biseduar. Duhet ta bëj? Herën e fundit që jemi parë ishte katër vjet më parë, besoj se është pjekur më shumë. Tani ka dy fëmijë, kjo e ndihmon.

<> at Centro Tecnico Federale di Coverciano on May 24, 2018 in Florence, Italy.

Hierarkia e tre portierëve?
Duhet t’i njoh mirë, i kam parë në tv: në këto tre miqësore do të luajnë të tre. Janë të shkëlqyer, ndoshta mungon edhe ndonjë. Dhe diskutimi vlen edhe për rolet e tjera: do të thërras edhe të tjerët për t’i njohur mirë.

Rëndësia e fitores së menjëhershme?
Jemi Italia, pavarësisht vështirësive duhet të përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje, edhe jo si favoritë. Të shohësh kombëtare të tjera përpara nesh nuk të bën mirë, duam të ngjitemi edhe në renditje. Nuk ka rëndësi që janë miqësore: duhet të provojmë të fitojmë. Rrotacioni do të jetë total, ndoshta dikush do të luajë të tre ndeshjet: ka futbollistë të lodhur në këtë fund sezoni. Ndeshjet e tilla, në fund të sezonit, janë të vështira. Do të thërras disa nga U-21 dhe sidoqoftë edhe më të rinjt se ata që janë duhet të luajnë ndja Francës e Holandës. Por, edhe Arabia po përgatit Botërorin, nuk është ndeshje e lehtë.

Në këtë kombëtare nuk ka një bllok skuadre, si në të kaluarën?
Sigurisht, fakti që në të shkuarën kishte blloqe si të Juves dhe Milanit e bënte më te lehtë, por duhet të përpiqemi të vëmë amalgamën sa më shpejt.

Çfarë iu thatë futbollistëve?
Që nëse dikush është i lodhur ose ka probleme fizike, më mirë të na e thotë, për të mos e rrezikuar. Marrim dikë tjetër, nuk është problem.

Florenci për ju është një mesfushor?
Një futbollist i zoti teknikisht, ka vrap dhe gol: mund të bëjë edhe mesfushorin e qendrës. Avantazh për ne që luan në shumë role.

Kombëtarja do të ketë një kod sjellje?
Janë djem të rinj: disa gabime i bëjnë, i ndodh të gjithëve. Por, sjelljet duhet të jenë të shkëlqyera, jemi shembull për të gjithë, sidomos për djemtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *