Kanë përfunduar dy sfidat e sotme të javës së 28 të “Abissnet Superiore”-s. Vllaznia ka shkëlqyer me trajnerin e ri në pankinë. Sedloski e nis me tre pikë aventurën e tij në kampionatin shqiptar. Kuqeblutë kanë mposhtur me shifrat 3-1 Erzenin. Marku nisi festën në minutën e 41-të në “Loro Boriçi”, kur shënoi një gol spektakolar që ndezi tifozerinë shkodrane. Më pas, në pjesën e dytë, Latifi gjen rrugën e rrjetës dhe dyfishon shifrat. Nonato kundërpërgjigjet në minutën e 75, por 10 minuta më vonë ishte Fjoart Jonuzi që me një parabël fiksoi shifrat në 3-1.
Në krahun tjetër, Laçi kthehet te fitorja pas një seri rezultatesh negative. Kurbinasit kanë përmbysur Teutën në “Niko Dovana” dhe marrin tre pikë të rëndësishme në duelin e drejtpërdrejtë të zonës së ftohtë. Teuta gjeti golin e para me anë të Dacit në minutën e 65, por 11 minuta më vonë Guindo ktheu baraspeshën nga pika e bardhë e penalltisë. Për golin e fitores mendoi Vasil Shkurtaj, i cili tundi rrjetën në minutën e fundit të kohës së rregullt./Halit Delibashi-Sport Ekspres/